Maqedoni

Sh. F.”Liria”, filluan aktivitetet për shënimin e 70 vjetorit të themelimit

27.04.2015 16:10

Me promovimin e gazetës shkollore “Blerim” nga grupi letrar “Migjeni” dhe ndarja e diplomave...

Me promovimin e gazetës shkollore “Blerim” nga grupi letrar “Migjeni” dhe ndarja e diplomave për nxënësit më të mirë në art dhe letërsi me temë: “Shkolla–çerdhe e diturisë”, filluan aktivitetet për shënimin e 70 vjetorit të Shkollës Fillore “Liria” në Shkup.
 
Sipas drejtorit të shkollës, kjo javë do të jetë e përmbushur me aktivitete të shumta.
 
“Nesër do të bëhet promovimi i monografisë së shkollës në orën 18:00. Pasnesër kemi gjithashtu kuisin final të diturisë, një olimpiadë e diturisë që është tradicionale në shkollën tonë. Të hënën do të kemi finale sportive. Finalja do të shënohet më datën 7 maj, do të mbahet në Qendrën e Rinisë të Maqedonisë”- deklaroi drejtori i Shkollës “Liria”, Talat Sadiku.
 
Ish kryeredaktori dhe redaktori i revistave mujore për fëmijë “Gëzimi “ dhe “Fatosi”, Fejzi Bojku, shpreh nostalgjinë për mungesën e tyre në duart e nxënësve. Sipas tij, revistat për fëmijë kanë qenë një prej burimeve edukative për gjeneratat e reja.
 
“Ne që jemi gjallë, kryeredaktorë dhe redaktorë të gazetave dhe revistave, e shprehim atë brengën tonë. Këta revista dhe gazeta për fat të keq një ditë u shuan, në vend që pluralizmi dhe demokracia të na sillte diçka më të mirë, për shkaqe natyrisht financiare edhe për mosinteresimin tonë të nevojshëm, në radhë të parë të faktorit tonë politiko-shoqëror, ato revista që ishin aq të bukura vepruan 50-55 vjet, u shuan dhe u ndërprenë, po dolën disa revista të tjera përkohësisht, por ato ishin jetëshkurtra, ndryshe ishte “Gëzimi” dhe “Fatosi”, me një traditë, me një punë shumëvjeçare, me një përkushtim tjetër, gjithnjë mendoj se ka nevojë për revista të tilla, që në një formë ose tjetrën ato të ringjallen”- tha shkrimtari, Fejzi Bojku. 
 
Në mungesë të revistave mujore nxënësit lexojnë libra, por nuk e përjashtojnë mundësinë për të pasur revistë mujore.
 
“Gjej kohë të lirë për të lexuar librat e shkrimtarëve të shquar”- u shpreh një nxënëse.
 
“Lexoj edhe lektyra, gjatë pushimeve merrem me shkrim të poezive. Po, do të kishte qenë mirë të kishte revistë çdo muaj”- theksoi një nxënëse.
 
Sipas drejtorit të shkollës, Talat Sadikut, aktivitetet do të vazhdojnë deri më 7 maj, deri në patronatin e shkollës.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI