Maqedoni
Disa sindikata dhe shoqata organizojnë protesta për “1 Maj”
27.04.2015 16:14
Sindikata e Punëtorëve nga Drejtoria, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve të Maqedonisë së bashku me disa sindikata tjera, me rastin e Ditës Ndërkombëtare, “1 Majit”...

Sindikata e Punëtorëve nga Drejtoria, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve të Maqedonisë së bashku me disa sindikata tjera, me rastin e Ditës Ndërkombëtare, “1 Majit”, do të organizojnë marsh protestues në Shkup.
Ata do të shprehin revoltën e tyre ndaj ligjeve të shumta që cenojnë të drejtat e punëtorëve në administratë.
“Motoja jonë gjatë këtyre protestave do të jetë: “Mos rrini të relaksuar, që të mos ju largojnë nga puna”. Ka një simbolikë, sepse disa ligje në opinion janë treguar si ligje evropiane dhe dobiprurëse për administratorët, por në realitet kjo nuk është e vërtetë. Më “1 Maj” kemi për qëllim t’u dërgojmë mesazh nëpunësve që t’i lexojnë ligjet që i përkasin të drejtave të administratorëve dhe së bashku me sindikatën të ngrisin zërin”- deklaroi Pece Grujovski nga Sindikata e Punëtorëve nga Drejtoria, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve.
Problem kryesor është Ligji i Nëpunësve Administrativ dhe Ligji për Shërbim Gjyqësor, të cilët kanë filluar të implementohen prej këtij viti, thonë nga kjo sindikatë. Sipas tyre, nëpunësit administrativ mund shumë lehtë të dënohen dhe të largohen nga puna në rast se udhëheqësi i tyre nuk i jep notë kaluese për punën e kryer.
“Gjithashtu është e rrezikshme ajo që parasheh neni 68 i Ligjit për Nëpunës, ku vlerësohet puna e administratorëve me efekt të suksesshëm dhe të dobët. Nëpunësve mund t’i ndërpritet kontrata e punës në rast se ata vlerësohen nga ana e udhëheqësve si të pakënaqur. Nëse administratori vlerësohet me notë të dobët, ai mund ta humb vendin e punës”- tha Pece Grujovski nga Sindikata e Punëtorëve nga Drejtoria, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve.
Nga Sindikata e Punëtorëve nga Drejtoria, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve thonë se dënimet e para të nëpunësve do të vijnë në fund të këtij viti, atëherë kur do të vlerësohet puna e tyre.
REXHEP QAMILI
