Gazë, arritën ndihmat humanitare pas dy javësh

17.10.2024 15:34

Situata humanitare në Lindjen e Mesme...

Situata humanitare në Lindjen e Mesme është përkeqësuar. Pas dy javësh, disa kamionë me ndihma humanitare arritën në veri të Gazës.

Pas kërcënimeve të ShBA-së për të ngrirë ndihmën ushtarake për Tel Avivin, nëse fluksi i ndihmës për civilët nuk rritet brenda 30 ditëve, ushtria izraelite tha se 50 kamionë kishin hyrë në Gazë.

Për situatën e keqe në enklavën palestineze, alarmin e ka dhënë edhe OKB-ja. Departamenti i Shtetit thotë se ata kanë parë hapat fillestarë nga Izraeli.

“Angazhimi ynë për sigurinë dhe mbrojtjen e Izraelit është i hekurt. Kjo nuk do të ndryshojë. Ka implikime për dërgimin e ndihmave humanitare dhe Izraeli po bën gjithçka që mundet për të siguruar që shpërndarja e ndihmave humanitare të mos ndërpritet.”, - tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.

Ministrat e vendeve të BE-së, nga ana tjetër, kanë biseduar me pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban, ku po vazhdon ofensiva izraelite.

Brukseli shprehu gatishmërinë për të ushtruar presion maksimal politik dhe diplomatik mbi Izraelin për të parandaluar incidente të mëtejshme kundër misionit. (Belinda Koka Ademi, TVM2)