Maqedoni

Aksion policor në Tetovë dhe Ohër, nën pranga 13 persona

17.10.2024 16:20

Policia në “gjueti” pas një grupi të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike...

Policia në “gjueti” pas një grupi  të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike, organizim të lojërave të fatit dhe menaxhim të klubeve të natës me shtetase të huaja, të cilat detyroheshin të prostituohen. 
 
Në rajonin e Ohrit dhe Tetovës, policia ka realizuar bastisje në 17 lokacione, prej ku nën pranga janë vënë 13 persona, ndërsa një person nuk është i kapshëm për organet e rendit. Gjatë aksionit janë kontrolluar jo vetëm lokalet, por edhe shtëpitë e pronarëve, si dhe objektet e banimit të disa bashkëpunëtorëve të pronarëve të objekteve që u bastisën. Në pronësi të të njëjtëve persona janë edhe lokalet e kontrolluara në Ohër.
 
Personat e dyshuar i përkasin të njëjtës familje, e cila edhe më herët ka pasur lidhje me aktivitete të dyshimta. Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit jep detaje rreth aksionit policor.
 
“Në aksion janë privuar nga liria 13 persona, ndërsa një person nuk është në dispozicion të organeve të rendit. Kontrollet janë kryer në 17 lokacione në rajonin e Tetovës dhe në Ohër. Për një kohë të caktuar, grupi është marrë me ndërmjetësimin e prostitucionit dhe tregtisë së paligjshme të drogës dhe të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme nga këto krime, anëtarët e grupit i kanë fshehur duke pastruar para dhe të ardhura të tjera nga një vepër penale.”, thonë nga Prokuroria.
 
Gjithashtu në komunikatë thuhet se grupi i organizuar është krijuar nga një 35-vjeçar nga fshati Bogovinë, i cili ka organizuar dhe koordinuar aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit dhe në objektet e disa hoteleve në rajonin e Tetovës dhe Ohrit, 35-vjeçari  i drejtonte drejt prostitucionit vajzat e huaja që punonin si kërcimtare në klube striptizi. 
 
Gjatë kontrollit janë gjetur tre automjete, një sasi e madhe parash dhe flori, një shkop bejsbolli, resiver, një thikë, tre laptopë, radio lidhje dhe regjistra për evidentimin e mysafirëve. Të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme nga këto krime, grupi i fshihte nëpërmjet pastrimit të parave. 
 
SANIJE DURAKU