Maqedoni
Korridori 8, Nikollovski: Duhet të ndryshohet
17.10.2024 16:40
Vetëm 24 orë pasi përfaqësuesit e RMV-së dhe Bullgarisë konfirmuan përkushtimin...

Vetëm 24 orë pasi përfaqësuesit e RMV-së dhe Bullgarisë konfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar me ndërtimin e Korridorit 8 hekurudhor sipas Rregullores së Rrjetit të Transportit Trans-Evropian në Bruksel, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, thekson se hekurudha nga Korridori 8 do të duhet të ndryshohet, sepse nuk ka marrëveshje nga pala maqedonase për projektin dhe çmimin ekzistues.
“Dialogu filloi dje në Bruksel. Takimi i radhës është pas dy javësh, më 31 dhjetor. Le të shohim! Ne insistojmë në qëndrimet tona, të ketë një projekt të përbashkët dhe të realizueshëm, normalisht të shqyrtohet çmimi, sepse me këtë çmim sigurisht që nuk mund ta realizojmë. Le të shohim se çfarë bëjmë. Unë ende jam kundër këtij projekti.
Ky projekt sigurisht se nuk do të punohet. Nëse do të ketë të ri, do të shohim.”, - deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
Ndërkohë, socialdemokratët pohojnë se ky projekt është përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe se nuk ka asnjë pengesë për realizimin e tij. VMRO-DPMNE-ja edhe përkundër kritikave të shumta publike, sërish po realizon projektet e Qeverisë së kaluar.
“Me muaj nga ana e Nikollovskit u manipulua publiku për projektin. Thanë se tuneli përfundon në mal, se traseja e rrugës nuk ka qenë siç duhet, etj. Tani shohim vendim me të cilin bie në ujë e gjithë ajo që e thanë në këtë periudhë kohore. Tani shohim se tuneli nuk përfundon në mal, se traseja është e njëjtë, për të cilën gjithë kohës thonin se është e gabuar. Me një fjalë, VMRO-DPMNE-ja dhe ministri Nikollovski kanë gënjyer publikun maqedonas, ndërsa tani të njëjtin projekt e pranojnë ashtu siç ishte projektuar.”, - theksoi Mile Talevski nga LSDM.
Në fund të tetorit, të dyja palët do të kenë një takim tjetër për të rënë dakord për detajet e realizimit të përbashkët të projektit. Më parë ka dështuar tenderi për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, e cila është pjesë e Korridorit 8.
Për fazën e tretë të hekurudhës, nga Kriva Palanka deri në kufirin me Bullgarinë, janë siguruar 580 milionë euro, gjysma nga Banka Evropiane për Ripërtrirje dhe Zhvillim dhe nga Banka Evropiane e Investimeve.
FLORIJE KAMBERI
