Maqedoni
ASK, LSDM-ja kërkon shkarkimin e drejtorit të emëruar
17.10.2024 16:57
Një ditë pas emërimit të Bojan Hristovskit në krye të ASK-së (Agjencisë për Siguri Kombëtare)...

Një ditë pas emërimit të Bojan Hristovskit në krye të ASK-së (Agjencisë për Siguri Kombëtare), LSDM-ja kërkon shkarkimin e tij dhe emërimin e një drejtori të ri. Socialdemokratët konsiderojnë se Hristovski është njeri partiak i VMRO-së. Deri në vitin 2023 ishte kryetar i komitetit të qytetit të Shkupit të VMRO-DPMNE-së.
Kjo, sipas LSDM-së, bie ndesh me ligjin e ASK-së, i cili ndalon që drejtori i agjencisë të jetë anëtarë i ndonjë partie politike. Nuk munguan as akuzat drejtuar Mickoskit se po kthen kohën e keqpërdorimit të agjencisë për shërbime sekrete.
“ASK-ja u reformua dhe profesionalizua, ndërkaq me këtë veprim, Qeveria e Mickoskit godet seriozisht profesionalizmin dhe sigurinë. Tani Mickoski dhe VMRO – DPMNE-ja jo vetëm që po realizojnë partizim të rrezikshëm, por venë në pikëpyetje sigurinë e shtetit. Pyesim se si Hristovski e ka kaluar kontrollin e sigurisë?”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Mile Taleski.
Mickoski: Emërimi i Hristovskit, i merituar
Për kryeministrin Hristijan Mickoski nuk është problematik emërimi i Hristovskit, madje sipas tij është edhe i merituar.
“Hristovski ka marrë certifikatë sigurie dhe nuk shoh arsye përse njeriu i cili ka kaluar thuajse gjithë kohën në sektorin e sigurisë, e të mos ushtrojë detyrën menaxhuese në ASK. Ka shumë struktura të frikësuara dhe ka për çfarë të frikësohen, e që janë pjesë e ish-pushtetit. Periudhën që vjen, do ta kuptoni të vërtetën.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sipas Mickoskit, gjatë transformimit të DSK-së në ASK, Hristovskit padrejtësisht nuk i është dhënë certifikata e sigurisë. Bojan Hristovski certifikatën e ka kthyer me procedurë gjyqësore për t’u rikthyer në MPB dhe tani është drejtori i tretë me radhë i ASK-së. Kjo agjenci u formua në vitin 2019 si pasojë e keqpërdorimeve partiake dhe përgjimeve të jashtëligjshme nga ish-DSK-ja në krye me Sasho Mijallkovin.
MERAL ISMAILI
