Maqedoni

Mickoski: Qeveria miratoi 270 projekte infrastrukturore

17.10.2024 17:11

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, edhe njëherë ka rikonfirmuar qëndrimin e Qeverisë...

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, edhe njëherë ka rikonfirmuar qëndrimin e Qeverisë se fuqishëm do të qëndrojë në mbështetje të komunave të vendit duke u ndihmuar në projektet e hartuara nga ana e tyre. Në seancën e fundit të Qeverisë janë konfirmuar mbi 270 projekte nga ana e komunave, ndërsa Qeveria pritet që t’u lëshojë komunave fazën e parë të mjeteve prej 4 miliardë denarësh.
 
Për vitin e ardhshëm parashihen që nga buxheti qendror në drejtim të komunave të ndahen 15 miliardë denarë. Komunave Strumicë, Tearcë, Saraj dhe Qytetit të Shkupit u janë refuzuar projektet.
 
“Në seancën e djeshme të Qeverisë u konfirmuan mbi 270 projekte, të cilat vijnë nga ana e të gjitha komunave të vendit dhe këto projekte nuk do të jenë vetëm për komunat ku kryetarët e komunave vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it apo lëvizjes “E di”. Prandaj gjatë javës së ardhshme të nënshkruhen kontratat për këto projekte dhe të fillojë realizimi i tyre dhe në këtë fazë të parë parashihen diku mbi 4 miliardë denarë të lëshohen për këto projekte.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Qyteti i Shkupit: U dëshmua e kundërta nga premtimi
 
Por, nga qyteti i Shkupit thonë se ndryshe nga premtimet se me fondet nga kredia hungareze do të financohen projekte në të gjitha komunat, pavarësisht përcaktimit politik të kryesisë së pushtetit vendor, vendimi i djeshëm u konfirmua i pasaktë. 
 
“Vendimi i Qeverisë që të mos ndajë mjete për projektet për të cilat ka aplikuar qyteti i Shkupit, edhe një herë konfirmon gjendjen mendore sektare të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Me këtë vendim ai dëshmoi se kotësia e tij është më e rëndësishme se çdo nevojë e qytetarëve dhe me kundërshtuesit merret me segregacion dhe persekutim politik, duke dëshmuar se nuk ka kapacitet demokratik apo drejtues.”, thuhet në komunikatën e Qytetit të Shkupit.
 
LSDM: Në vend të 250 milionë eurosh, Qeveria ndau 65 milionë euro
 
Ndërkohë, sipas LSDM-së, ndonëse Qeveria shpalli me pompozitet 250 milionë euro në mbështetje për komunat, shohim se janë ndarë vetëm 65 milionë euro.
 
“Edhe pse me pompozitet u paralajmëruan nga ana e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, se komunave do t’u ndahen 250 milionë euro, por ajo që e shohim në këtë moment dhe ajo e cila del nga vendimi i Qeverisë, shihet se mjetet nga kredia hungareze ishin vetëm një gënjeshtër e madhe apo më mirë thënë u janë ndarë vetëm 65 milionë euro për realizimin e projekteve, të cilat kanë aplikuar në thirrjen publike të Qeverisë. Kjo është vetëm edhe një ndër gënjeshtrat e shumta, të cilat Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja i bëjnë ndaj komunave dhe qytetarëve.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Mile Taleski.
 
Në përzgjedhjen e projekteve infrastrukturore të Qeverisë, ditë më parë janë refuzuar projektet e komunës së Qytetit të Shkupit, Strumicës, Sarajit dhe Tearcës. Sipas kryeministrit, tre komunave të cilat u janë refuzuar projektet kanë pasur lëshime serioze. 
 
FITIM KRYEZIU