Maqedoni

Ahmeti–Thaçi për situatën në RM-së: Incidentet nuk i ndihmojnë askujt

27.04.2015 16:30

Shqiptarët në Maqedoni nuk duan luftë, por barazi të plotë...

Alternativë e vetme për një Maqedoni stabile është implementimi i plotë i MO-së. Kështu u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. 
 
Duke komentuar incidentin në Gushincë dhe aksionet policore në Malinë e Gushincë, Ahmeti tha se BDI është në vazhdimësi në kontakt me banorët e kësaj ane dhe ata e kanë bërë të qartë se nuk janë për dhunë.
 
Lideri i BDI-së gjithashtu sqaroi se kualifikimi i incidentit në Gushincë si akt terrorist nuk është qëndrim i Qeverisë së Maqedonisë, por i ndonjë drejtorie apo ministrie. 
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, komentoi edhe aferën e përgjimeve dhe mundësinë që partia e tij ta braktisë Qeverinë e Gruevskit.
 
Ai tha se BDI-ja nuk do të kontribuojë për thellimin e problemit, por për zgjidhjen e tij.
 
“Ne jemi në komunikim të përhershëm me banorët e zonës, në radhë të parë nga zona e Likovës. Askush nuk përkrah veprimtari të dhunshme. Jemi në kontakt të përhershëm edhe me banorët e zonës së fshatrave rreth kufirit. Sigurisht se ka veprimtari të organeve të sigurimit dhe policisë së shtetit. Ata policë janë djemtë tanë shumica, janë shqiptarë që patrullojnë në terren. Shqiptarët në Maqedoni nuk duan kriza dhe luftëra të reja. Shqiptarët nuk duan dhunë dhe luftë, ata duan paqe dhe stabilitet, barazi me maqedonasit në të gjitha sferat. Alternativa e vetme për Maqedoninë është  zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndan mendimin se implementimi i MO-së është opsioni i vetëm për një Maqedoni evropiane. Ndërsa sa i përket deklaratave për involvim të qytetarëve të Kosovës në incidentin në Gushincë, Thaçi e mohon një gjë të tillë. 
 
“Është në interes edhe të Kosovës që të thellohet paqja dhe stabiliteti në Maqedoni dhe në rajon. Asnjë incident, prej kujtdo që ndodhë, nuk e ndihmon as Kosovës, as Maqedoninë, as paqen në rajon. Po, është e vërtetë, jam takuar shkurtazi me kryeministrin Gruevski në Bruksel, në takimin e kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm, por diçka të tillë nuk kemi diskutuar”- tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Ahmeti dhe Thaçi ndajnë mendimin se asnjë incident nuk i ndihmon as Kosovës e as Maqedonisë. 
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjithashtu u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, si dhe me liderët e partive opozitare.
 
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Ahmeti u takua edhe me  kryeparlamentarin, Kadri Vejselin, me të cilin u diskutuan çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
 
SANIJE KASAMI