Incidenti në Gushincë, MPB raporton për bastisjet në Karadak
Ministria e Punëve të Brendshme sot doli me të dhëna për bastisjet e djeshme në Brezë e Malinë të malësisë së Karadakut dhe fshatin Brnjarcë...

Sipas MPB-së, në aksionin e djeshëm të zhvilluar në fshatin Brezë, njësitë speciale në shtëpinë e 55 vjeçarit, që ka qenë i dyshuar nga MPB-ja, është gjetur një pjesë e armatimit, që është marrë në Stacionin Policor në Gushincë, ndërsa në lokacionin në Brnjarcë tani për tani nuk është gjetur asnjë dëshmi materiale.
Nga MPB-ja informojnë se në fshatin Brezë janë gjetur dy pushkë automatike, dy snajperë, dhjetë pistoleta, sasi e madhe e municionit, radiomarrëse, uniformë me emblemën e UÇK-së etj. Personi për të cilin MPB-ja dyshon se është i përfshirë në sulm nuk është i kapshëm për policinë dhe i njëjti vazhdon të jetë në kërkim së bashku me personat e tjerë të dyshuar.
“Nga analizat e para dhe numrat serik të armëve është vërtetuar se bëhet fjalë për pjesë të armëve zyrtare që ishin marrë gjatë sulmit në stacionin policor për kontrolle kufitare në Gushincë. Të gjitha gjërat e gjetura dhe të konfiskuara janë dorëzuar në sektorin për teknikë kriminalistike për ekspertizën e tyre të mëtutjeshme për shkak të gjetjes së gjurmëve eventuale dhe dëshmive që janë të ndërlidhura me veprën e kryer penale. Pas mbarimit të këtyre ekspertizave, nga ana e MPB-së do të dorëzohet padi adekuate deri te Prokuroria Publike kompetente”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Në akuzat se sulmi në Stacionin Policor në Gushincë është i kurdisur, Jankullovska tha se një tezë e tillë nuk mban dhe është e pakuptimtë.
“Në bazë të konstatimit të tillë, edhe pse ishte nga përfaqësues të lartë të opozitës, mund të them se është një tentim të futet mosmarrëveshje dhe jo rehati tek qytetarët e Maqedonisë, sepse edhe vetë rasti në Gushincë ndikonte në ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe në mënyrë plotësuese të devalvohet gatishmëria e forcave të sigurisë”- tha Jankullovska.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Jankullovska tha se edhe ish komandanti i UÇK-së, Mirsad Ndrecaj, i njohur në vitin 2001 si komandant “Nato”, i cili ditë më parë mori përsipër sulmin, është po ashtu një nga të dyshuarit kryesorë. Jankullovska tha se hetimet për incidentin në Gushincë vazhdojnë. (Florije Kamberi, TVM2)
