Tërmeti në Nepal, numri i viktimave kalon numrin 3.600
Me kalimin e orëve, bilanci i viktimave të tërmetit në Nepal po rëndohet. Të paktën 3617 persona humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm prej 7.8 ballësh i shkallës Riter, që goditi vendin të shtunën, më i rëndi në këto 80 vitet e fundit. Mbi 6500 të tjerë kanë mbetur të plagosur...

Në Indi numërohen 66 viktima, ndërsa në Tibet 20 të vdekur. Qindra turistë të huaj rezultojnë të humbur. Mijëra persona kaluan natën e dytë në tendat e ngritura në Katmandu, kryeqytetin e Nepalit, të mbetur pa shtëpi apo në panik nga lëkundjet që e pasuan tërmetin.
Mijëra njerëz gjetën strehë në aeroportin ndërkombëtar “Tribhuvan”, nga ku rinisën fluturimet. Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Britania e Madhe, Pakistani, Norvegjia, Gjermania, Spanja, Franca, Izraeli edhe Bashkimi Evropian kanë garantuar dhe dërguar ndihmë për të prekurit, që sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë rreth 6.6 milionë persona. Shumë kanë humbur gjithçka dhe tani po përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe ushqimit, si dhe kërcënohen nga sëmundjet.
Siç raporton UNICEF-i, janë të paktën 1 milion fëmijë të prekur nga tërmeti. Të gjitha forcat janë përqendruar në gjetjen e personave të mbijetuar. Moti i mirë, mëngjesin e së hënës u mundësoi helikopterëve të nisen drejt kampit në malin Everest dhe të shpëtojnë 200 alpinistë që ishin bllokuar atje, si pasojë e tërmetit.
