Rasti i foshnjës 14-muajshe, dorëzohet raporti në Odën e Mjekëve

18.10.2024 16:09

Në Odën e Mjekëve ka arritur raporti nga Komisioni i Ekspertëve...

Në Odën e Mjekëve ka arritur raporti nga Komisioni i Ekspertëve për vdekjen e foshnjës 14-muajshe, si dhe një shkresë nga Klinika për sëmundje respiratore te fëmijët “Kozle”, në të cilën japin qëndrimin e tyre për akuzat e paraqitura.

Komisioni për Çështjet Etike dhe Juridike duhet të vendosë se çfarë do të ndërmarrë për lëshimet në trajtimin e fëmijës.

“Do të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështje Etike dhe Juridike, në të cilën do të shqyrtohet raporti i dorëzuar në lidhje me foshnjën e vdekur, i cili është përgatitur nga një komision i formuar nga Ministri i Shëndetësisë. Për rezultatin e punës së Komisionit për Çështje Etike dhe Juridike dhe vendimet e marra do të japim informacione të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Odës së Mjekëve.

Ministri i Shëndetësisë pret përgjegjësi nga mjekët, të cilët, siç tha, kanë bërë një mbikëqyrje në trajtimin e foshnjës 14-muajshe. Ai shpreson që të dy drejtorët të marrin masa.

Sipas raportit të komisionit të ekspertëve janë konstatuar mangësi sistemike, teknike dhe profesionale. Prindërit e kanë çuar fëmijën në Klinikën e Fëmijëve, ku është anashkaluar mbikëqyrja e detajuar dhe fëmija është dërguar për trajtim në shtëpi.

BDI-ja kërkon dorëheqjen e drejtorëve

Nga BDI-ja kërkojnë dorëheqjen e drejtorëve.

“Në një rast të tillë duhet të merren masat e duhura. Organet kompetente të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin plotësisht këtë rast, gjithashtu për çështje morale duhet të jenë transparent, të hapur dhe të jepet dorëheqje.”, - u shpreh Armend Asllani nga BDI.

Në Klinikën “Kozle”, sipas raportit të dorëzuar, nuk është bërë vlerësimi adekuat i gjendjes shëndetësore dhe nuk është vendosur me kohë në aparat respirator. Klinika “Kozle” e mohon fajin, ndërsa Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve - Shkup, do të presë raportin nga Oda e Mjekësisë.

Foshnja 14-muajshe ka ndërruar jetë nga bronkopneumonia obstruktive më 5 tetor, pasi u soll nga “Kozle” në Klinikën e Fëmijëve në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)