Maqedoni

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, Mickoski: Qeveria e angazhuar, pa BDI-në

18.10.2024 16:25

Qeveria nuk heq dorë nga ekskluziviteti për përpilimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë...

Qeveria nuk heq dorë nga ekskluziviteti për përpilimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive duke përjashtuar BDI-në nga çdo ndërhyrje. Janë angazhuar grupe pune dhe sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, partia e Ahmetit për 20 vite pushtet lëshoi mundësinë të dorëzojë zgjidhje ligjore. Mickoski siguron se ligji themelet do t’i ketë në Kushtetutë.
 
“Bashkimi Demokratik për Integrim më shumë se njëzet vite kishte mundësi të dorëzojë zgjidhje ligjore, e cila do të ishte kushtetuese. Këtë mundësi e lëshuan. Kjo Qeveri, ky koalicion ka mekanizëm të brendshëm demokratik dhe veç më punohet në nivel të grupeve të punës në krijimin e një zgjidhjeje të tillë ligjore, e cila do të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe njëkohësisht do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe vlerat themelore të Kushtetutës.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Reagimi i Mickoskit erdhi pas deklaratës së deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti, një ditë më parë se BDI-ja do të dorëzojë propozim-ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. 
 
BDI: Nevojitet qasje serioze ndaj etnive
 
Gjatë ditës integristët dolën me qëndrim se qasja kundrejt përfaqësimit të drejtë etnik duhet të merret seriozisht për të evituar pasojat.
 
“Mendoj se principet e kësaj organizate të BDI-së kanë qenë gjithmonë të qarta, gjithmonë transparente. Janë shpalosur dhe mendoj se me ligjin e ri ne duhet të veprojmë në mënyrë serioze për arsye se do të kemi pasoja në qoftë se vazhdojmë në këtë mënyrë.”, - theksoi Armend Arsllani nga BDI.
 
Nga koalicioni VLEN thonë se kanë ligjin gati. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, e ka siguruar dhe tani pritet vetëm harmonizimi me partnerët e koalicionit qeverisës VMRO – DPMNE dhe lëvizjes “E di”.
 
Sipas tij, ligji do t’i prezantohet opinionit sa të jetë i unifikuar, do të kalojë debatin publik dhe më pas edhe komisionin e Venedikut edhe pse nga kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kishte pretendime se ligji po përgatitet në mënyrë jotransparente.
 
MERAL ISMAILI