Maqedoni

Tetova pret më shumë para nga ekzekutivi, Tearca ndjehet e zhgënjyer nga ndarja e kulaçit

18.10.2024 17:49

Komunës së Tetovës nga Qeveria nuk iu ndanë mjete financiar aq sa aplikoi për projekte kapitale...

Komunës së Tetovës nga Qeveria nuk iu ndanë mjete financiar aq sa aplikoi për projekte kapitale, por për kreun e Tetovës, Bilall Kasami, nuk bëhet fjalë për shkurtim të mjeteve financiare për komunën e Tetovës, por bëhet fjalë për procedura administrative të cilat në periudhën e afërt do të zgjidhen.
 
Sipas Kasamit, komuna e Tetovës ka aplikuar me tre projekte që kapin vlerën e 3.8 milionë euro, ndërsa nuk ka kaluar projekti për ndërtimin e shkollës së mesme tekstile.
 
“Komuna e Tetovës ka aplikuar për projekte me vlerë diku 230 milionë denarë apo 3.8 milionë euro. Dy projekte dje veç kanë kaluar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, që kanë të bëjnë me ujësjellësin përmes Ministrisë së Ekologjisë. Projekti i tretë dhe më kryesori apo kapitali ka ngelur që të sillet në mbledhjen e radhës në Qeveri, nga shkaku që mjetet janë dashur të planifikohen në Ministrinë e Arsimit. Nuk bëhet fjalë as për një shkurtim të mjeteve për financim të projekteve kapitale për komunën e Tetovës, por bëhet fjalë për procedura administrative të cilat në periudhën që vjen do të zgjidhen, dhe sigurisht ato mjete do të jenë në llogaritë e destinuara në komunën e Tetovës.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Ndërsa nga ndihmat e Qeverisë për komunat, u la jashtë komuna e Tearcës, që sipas kreut të Qeverisë, Mickoski, komuna e Tearcës nuk i ka dorëzuar në kohë projektet. Sot ka reaguar i pari i Tearcës, Nuhi Neziri, i cili tha se deklarata e djeshme ishte  vetëm për të bërë lajme, pasi që ai projektet i ka dorëzuar edhe me postë. Por, thotë se do të aplikojë përsëri në afatin e dytë.
 
“Ju them me shumë bindje se kjo ishte një akrobacion për të bërë lajme se ne nuk kemi bërë aplikimin vetëm në formë elektronike, por e kemi dorëzuar edhe me postë, por dëgjuam me kujdes pjesën e dytë të deklaratës ku tha kryeministri se do të ketë një afat të dytë, andaj besoj se e gjithë kjo zhurmë ishte e panevojshme në vend, që në të kthehemi në peshën dhe vlefshmërinë e projekteve që kanë.”, - theksoi kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.
 
Qeveria i la jashtë ndihmave financiare komunën e Shkupit, Sarajit dhe Tearcës dhe Strumicës. Ndërsa më shumë projekte të financuar nga Qeveria fitoi komuna e Kumanovës.
 
VISAR SADIKI