Maqedoni

Vazhdoi gjykimi për vrasjen e dyfishtë, dëgjohen dëshmitarë për vrasjen e Vanjës

18.10.2024 18:04

Me dëshminë e pesë dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria ka vazhduar...

Me dëshminë e pesë dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçeskës dhe Pançe Zhezhovskit. Në dëshminë e shefit të njësisë për krime të dhunshme në Shkup, Dejan Dimovski, u shpalosën detaje nga hetimi e deri në gjetjen e trupit të pajetë të Vanjës.
 
Ai tha se është fokusuar në dëshminë e Aleksandrit, babait të Vanjës. Sipas tij, rruga e lëvizjes së babait të Vanjës është analizuar përmes kamerave "qyteti i sigurt". Në ditën e zhdukjes së Vanjës, automjeti i babait të saj është regjistruar duke kaluar pranë hotelit “Aleksandar Palace” drejt rrugës së Kaçanikut pak kohë pasi është zhdukur Vanja.
 
Në pyetjen se si e ka ditur se në cilin drejtim të lëvizte për ta kërkuar vajzën, babai i Vanjës, njëherit i akuzuar, në këtë rast ka thënë se është frymëzuar nga filmat e krimit, se rrëmbyesi lëviz gjithmonë drejt kufirit më të afërt. Për shefin e policisë ishte e çuditshme se babai i Vanjës i parashikoi ngjarjet, fillimisht ka thënë se ajo ishte rrëmbyer, e më pas tha se ishte vrarë.
 
"Kolegut iu duk e çuditshme që babai Aleksandri ishte ulur në makinë duke mos kërkuar dhe vazhdonte të thoshte se vajza ishte e rrëmbyer, ka mundësi të jetë vrarë. Kontrolle janë bërë edhe në Ohër. Në një moment i thashë nënës, nëse është e rrëmbyer, mund se është mirë, në kuptimin që do të kishim një gjurmë, do të na kërkonte dikush, do të kërkonte shpërblim, por nuk kishte një gjë të tillë.”.
 
Avokati mbrojtës i babait të Vanja Gjorçeskës thekson se i akuzuari që ai mbron ka pranuar se ai me veturë e ka kërkuar të bijën.
 
“Ka versione të kundërta në dëshminë e tij. Për këtë do të paraqesim ankesë, ndërsa pas dëgjimit të Aleksandrit deri tek gjykata do të propozojmë që në rrethana të caktuara për të sqaruar rastin plotësisht, ballafaqim mes Aleksandrit, zotëri Muzaferit dhe dëshmitarit të sotëm, Dejanit.”, - theksoi avokati, Vlladimir Tufegxhiq.
 
Prokuroria akuzon Ljupço Palevskin, Bore Videvskin, Velibor Manevin dhe Vllatko Keshishovin, si dhe babain e vajzës, Aleksandar Gjorçevski, për dy vrasjet e tmerrshme. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm në seancën e parë të gjykimit.
 
FLORIJE KAMBERI