Botë

Dialogu Kosovë - Serbi, Rohde: Dialogu nuk ka përparim

18.10.2024 18:28

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian...

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian aktualisht nuk ka përparim, ndonëse pritjet e BE-së janë që të ketë vullnet politik për të bërë progres në këtë drejtim.
 
Kështu ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sipas të cilit përparimi në dialog është i nevojshëm meqë qëllimi përfundimtar i këtij procesi është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE.
 
“Për qytetarët e rajonit, e veçanërisht për ata nga Kosova apo Serbia, është e rëndësishme që të ketë progres, të ecim përpara. Të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim të marrëdhënieve. Pa normalizim nuk ka anëtarësim në BE.”, - deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
 
Zulfa: Marrëveshja të zbatohet plotësisht
 
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfa, ka thënë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se marrëveshja e arritur vitin e kaluar me Serbinë duhet të ketë zbatim të plotë.
 
“Marrëveshjen që e kemi arritur vitin e kaluar, qëndrimi i Kosovës është që ajo duhet të ketë zbatim të plotë dhe se në këtë drejtim duhet se pari të kemi një plan të sekuencimit për të cilin është duke punuar zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi.”, - theksoi këshilltari i Qeverisë së Kosovës, Jeton Zulfa.
 
Ndërkohë është bërë e ditur se të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
 
GYLTENE SINANI