Maqedoni

“Eurovizion 2015”, Elhaida Dani, e ftuar speciale e TVM2

27.04.2015 17:50

Përfaqësuesja shqiptare në “Eurosong 2015”, Elhaida Dani, ka filluar turnin e saj në Maqedoni në takime me publikun shqiptar, por jo vetëm...

E ftuar nga RTM2, Elhaida Dani u përball sot fillimisht me gazetarët, të cilët shfrytëzuan rastin për intervista me vajzën që me zërin e saj për momentin po kryeson të gjitha radhitjet e fansave euroviziv.
 
Ajo u prit edhe nga drejtuesit shqiptarë të servisit publik.
 
Elhajda është e vetëdijshme se pas fitoreve të merituara në “Star akademi”, “Top fest”, “Voice of Italy” dhe së fundmi në festivalin e madh në RTSH-së, sfida eurovizive është përgjegjësia më e madhe në karrierën e saj, pasi atje nuk prezanton vetëm aftësitë e saj vokale, por një komb të tërë.
 
Elhaida Dani ka studiuar pianon që në moshën 6 vjeçare, por veten e ka gjetur në këndim dhe me mjaft sukses. E kjo dëshmohet nga çmimet e shumta që ka marrë.
 
Çmimi i radhës shpresojmë të jetë ai i Evrovizionit, dhe është kjo një pritje reale, pasi Elhaida njëherë arriti të bëjë për vete publikun italian me zërin e saj dhe nuk është e tepërt të pritet që ajo do të arrijë të fitojë edhe votat e të gjithë vendeve evropiane.
 
Deri tani, kënga shqiptare në ueb faqen zyrtare të Evrovizionit ka më shumë se 2 milion klikime dhe 8000 komente favorizuese. 
 
Elhajda, sot u takua me fansat e saj në Shkup dhe nesër do të qëndrojë edhe në Tetovë.
 
Ajo ka nevojë për votat tona, sepse një 12 dhënë Shqipërisë nga Maqedonia, mund ta ndihmojë Elajdën të na japë kënaqësinë më të madhe kulturore, ta shohim “Eurovizionin 2016”,  pse jo, në Tiranë.
 

FARIJE DAUTI-BAKIJU