Maqedoni

Akademia Shqiptare e Shkencave, Perinski: Nuk ka bazë ligjore që komunat të finansojnë

19.10.2024 14:26

Pas njoftimeve të katër komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit se do të financojnë projektet e shoqatës së Akademikëve Shqiptarë...

Pas njoftimeve të katër komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit se do të financojnë projektet e shoqatës së Akademikëve Shqiptarë, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski në një intervistë për agjencinë MIA thotë se nuk ka mundësi ligjore për një gjë të tillë. Sipas tij në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, në nenin 11, saktë thuhet se mjetet e vetëqeverisjes lokale duhet të shpenzohen ekskluzivisht në kompetencat e përcaktuara me ligj.
 
“Në përkthim do të thotë se Ligji thotë se të gjitha mjetet që komuna mbledh në çfarëdo baze, i shpërndan përmes miratimit të vendimeve dhe buxheteve në seancën e Këshillit, të njëjtat duhet të drejtohen ekskluzivisht për zbatimin dhe realizimin e kompetencave themelore ligjore të vetëqeverisja lokale, në thelb në ato kompetenca nuk qëndron askund  Akademi e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare. Komuna ka mundësi të financojë shoqatat dhe organizatat joqeveritare, por ato shoqata dhe organizata joqeveritare në njëfarë mënyre duhet t'i zbatojnë kompetencat themelore për të cilat ekziston ajo vetëqeverisje lokale, që do të thotë se nëse ligji lexohet drejt, nuk ka mundësi ligjore për një gjë të tillë.”, tha Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
 
Mexhiti: Kjo ide nuk duhet të shihet si kërcënim
 
Ideja e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve është rezultat i evolucionit të shoqërisë, prandaj nuk duhet parë si kërcënim, ka reaguar Zv/Kryeministri i parë Izeti Mexhiti. 
 
“Maqedonia e Veriut ka shansin unikë për t’u organizuar si një shoqëri funksionale multikulturore dhe për t’i kthyer temat që deri dje na kanë ndarë, në kualitete që do të na bashkojnë në të ardhmen tonë evropiane… Argumenti i vetëm kundër Akademisë Shqiptare është pretendimi se shkenca nuk njeh përkatësi etnike dhe nuk guxon të ndikohet nga politika. Atëherë, cili ishte kontributi shkencor dhe cilat ishin argumentet shkencore në Pamfletin e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve kur në vitin 2001 propozoi ndarjen e Maqedonisë?! A është kjo fryma shkencore për të cilën sot flasin të gjithë kundërshtuesit e idesë sonë?”, tha Zv/Kryeministri i parë Izeti Mexhiti. 
 
Kundër Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve janë shprehur edhe kryeministri, Hristian Mickoski dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
SANIJE DURAKU