Ekonomi

Ekonomi, LSDM: BB me parashikime të këqija për ekonominë

19.10.2024 15:15

Raporti i fundit i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut është alarmant, vlerësojnë nga LSDM...

Raporti i fundit i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut është alarmant, vlerësojnë nga LSDM. Deputeti i kësaj partie Fatmir Bytyqi thekson se ky raport vërteton se ekonomia është në rënie të lirë, si rezultat i politikave të gabuara të qeverisës ë udhëhequr nga VMRO-DPMNE. 
 
“Në vend të rritjes së pritur ekonomike prej 2,5 për qind, këtë vit, sipas Bankës Botërore, do ta përfundojmë me vetëm 1,8 për qind rritje të BPV – një sinjal i qartë që politikat ekonomike e VMRO-DPMNE janë plotësisht të pasuksesshme, ekonomia jonë është në shtratin e vdekjes. Në raport qartë vihet re se arsyeja kryesore për këtë rënie është qasja “e ngrohtë-ftohtë” ndaj realizimit të projekteve kryesore infrastrukturore – Korridoret 8 dhe 10D, të cilat duhej të sillnin përfitime ekonomike, por VMRO-DPMNE i mban në letër. Në vend që të ecim përpara, qeveria ka lejuar që këto projekte të mbesin të bllokuara, gjë që ka pasoja katastrofale për BPV-në.”, tha deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi.
 
Mickoski: Katastrofale është gjendja që e la LSDM-ja
 
LSDM e la gjendjen ekonomike pas 7 vitesh qeverisje në gjendje katastrofale kundërpërgjigjet kryenistri Hristijan Mickoski.
 
“E vetmja gjë që është katastrofale në Maqedoni është gjendja që e la LSDM-ja pas 7 vitesh qeverisje shkatërruese me resurset shtetërore. Ajo që e bën kjo qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, është që tërë këtë ta konsolidojë. Jam i kënaqur që rënien e lire e kemi ndërprerë dhe është mirë që me ardhjen e kësaj qeverie të gjitha indikatorët janë pozitiv. Gjithçka që ka thënë LSDM e ka gabuar, prandaj atë që e thonë nga LSDM në realitet është e kundërta.”, tha kryenistri Hristijan Mickoski.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se për vetëm dy muaj qeverisje qeveria Mickoski solli katër investime të huaja, prej të cilave vetëm një është mbi 500 milionë dollarë dhe mbi 1500 vende të reja pune. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE rriti pensionet për 5 mijë denarë, rritje lineare për të gjithë pensionistët, pasuar me rritje të pagave të edukatorëve, e cila deri në fund të mandatit do të arrijë në 46%.Poashtu nga VMRO thonë se më shumë se katër miliardë euro vetëm në fazën e parë do t'u ndahen të gjitha komunave për realizimin e projekteve kapitale dhe infrastrukturore. 
 
ERSAN PAJAZITI