Maqedoni
Mbyllet Kopshti Zoologjik, gjendet prania e virusit H5N1
19.10.2024 18:15
Në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është gjetur një bakterie vdekjeprurëse “gripi i shpezëve”....

Në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është gjetur një bakterie vdekjeprurëse “gripi i shpezëve”. Këtë e kanë konfirmuar nga Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari duke bërë të ditur se virusi H5N1 është gjetur tek një patë.
“Pas ngordhjes së një pate në Kopshtin Zoologjik dhe ngritjes së dyshimeve për gripin e shpezëve, pas testimeve laboratorike të shpendit të ngordhur, me rezultate laboratorike të Fakultetit të veterinarisë-Shkup, nga 18.10.2024, është konfirmuar rast i pranisë së llojit të virusit virosopatogjen të gripit të shpendëve H5N1. Gjatë ditës së sotme në Kopshtin Zoologjik janë kryer mbikëqyrje nga një veteriner kompetent zyrtar dhe janë urdhëruar masa për monitorimin e sëmundjes, si dhe janë vrarë dhe larguar në mënyrë humane këto lloje të shpendëve: 24 rosa, 6 pata, 5 pula dhe një sorrë, të cilat ishin të pranishëm në atë lokacion. Janë urdhëruar masat në përputhje me Ligjin për Shëndetin Veterinar dhe Rregulloren për masat për çrrënjosjen e sëmundjes së gripit të shpezëve.”, bëjnë të ditur nga Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari, duke shtuar se masat do të jenë në fuqi 21 ditë deri kurë kopshti zoologjik në Shkup do të jetë i mbyllur.
Reagon Kopshti Zoologjik: Inspektorët e AUV kryen masakër ndaj zogjve
Lidhur me mbylljen e kopshtit zoologjik, ka reaguar udhëheqësia e Kopshtit Zoologjik Shkup. Në reagim thuhet se prej mëngjesit pa urdhër, vendim apo dëshmi tjetër, inspektorët e AUV-së të shoqëruar me persona me armë kanë hyrë në kopshtin zoologjik të Shkupit dhe kanë kryer masakër mbi zogjtë.
“Pa justifikim këta persona me urdhër të drejtorit të AUV-së dhe pa prova deri në këtë moment vranë disa dhjetëra zogj që shëtisnin lirshëm në Kopshtin Zoologjik. Bëhet fjalë për lloje dekorative të patave dhe rosave që jetojnë në parkun e qytetit, ndërsa kanë qasje natyrale në kopshtin zoologjik nga parku i qytetit.”, thonë nga kopshti Zoologjik, prej ku pretendojnë se qëllimi është shkaktimi i një problem të ri në qytetin e Shkupit dhe mbylljen e Kopshtit Zoologjik.
Nga atje paralajmërojnë se do të ngrenë kallëzim penal kundër drejtorit të AUV dhe kundër inspektorëve dhe personave që me armë kanë hyrë në kopshtin zoologjik Shkup. Ish drejtori i Kopshtit Zoologjik Gjorgji Galetanovski thotë se kopshti nuk duhej mbyllur por duhet të dezinfektohet.
“Më me rëndësi është dezinfektime, deratizimi dhe raportet e veterinerëve.”, tha Galetanovski.
Ndërsa këshilltari i VMRO-DPMNE-së në qytetin e Shkupit Stefan Kirkov thotë se këtyre ditëve kanë ngordhur disa shpend, por nën dyshimin se bëhet fjalë për grip të shpendëve është kërkuar nga Agjenciuoni për Ushqim dhe Veterinari për mbyllje por udhëheqësia e Kopshtit Zoologjik nuk e ka zbatuar.
“Informacionet jo zyrtare që kanë ardhur te ne janë se ky institucion nuk e ka respektuar urdhërin e AUV dhe përsëri ka filluar të punojë.”, tha Kirkov.
Të gjithë vizitorët që gjatë intervenimit të inspektorëve të agjencisë për ushqim dhe veterinari kanë qenë të pranishëm në Kopshtin Zoologjik, janë evakuuar.
ERSAN PAJAZITI
