Maqedoni

Gashi: Të gatshëm ti përfshijmë bullgarët në kushtetutë

19.10.2024 18:31

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi nga Berlini ka deklaruar se shumica qeveritare është e gatshme...

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi nga Berlini ka deklaruar se shumica qeveritare është e gatshme menjëherë t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë, por kërkon parashikueshmëri të procesit.
 
“Nuk kemi kurrfarë problemi me atë që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por presim garanci se menjëherë pastaj nuk do të ketë kusht tjetër”, tha Gashi për Dojçe Vele, duke theksuar se në Qeveri nuk ka dilemë se duhet të vazhdohet rruga evropiane e vendit sa më shpejtë.
 
“Ju e dini që bllokada nga Bullgaria i referohet çështjeve historike dhe identitare. Kemi ardhur në RF të Gjermanisë pikërisht për këtë temë. Duam që ky proces të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm t’i përfshijmë menjëherë bullgarët në Kushtetutë. Mendoj se kemi një konsensus të plotë ose më konkretisht të madh se nuk kemi asnjë problem që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës. Por problemi ynë është me parashikueshmërinë e procesit dhe garancitë që menjëherë pas kësaj nuk do të ketë pyetje të radhës apo kusht tjetër që ka të bëjë me çështje historike dhe identitare që mendojmë se janë të vështira për t’u zgjidhur në tavolinat e bisedimeve politike”, tha Gashi.
 
Lidhur me ndërmjetësimin e propozuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilin Bullgaria e refuzoi, dhe nëse Gjermania mund të përfshihet si lehtësues, kryetari i Kuvendit thekson se Shkupi dhe Sofja kanë kapacitet për të rënë dakord, por çdo ndihmë është e mirëseardhur.