Maqedoni

Mexhiti: Qeveria po i mbështet projektet në komuna

20.10.2024 13:31

Qeveria do t’i vë në dispozicion të gjitha resurset që ka, që komunat të përfitojnë suksesshëm...

Qeveria do t’i vë në dispozicion të gjitha resurset që ka, që komunat të përfitojnë suksesshëm nga mjetet financiare për projektet dhe me këtë të arrihet një jetë më e mirë për qytetarët. Kështu ka deklaruar zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti, sipas të cilit ky është përcaktimi i koalicionit VLEN dhe qeverisë. 
 
“Investime në zhvillim e modernizim për një jetë më të mirë për të gjithë! Më shumë para në infrastrukturë, arsim e ambient jetësor për modernizimin e Gostivarit, Tetovës, Likovës, Strugës, Çairit, Kërçovës, Kumanovës, Zhelinës, Sarajit, Haraçinës, Tearcës dhe për të gjitha komunat tjera të vendit tonë pa dallim. Qeveria do t’i vë të gjitha resurset e nevojshme që ka në dispozicion që të gjitha komunat të përfitojnë suksesshëm nga mjetet financiare për projektet. Bashkërisht do ia dalim, gjithmonë për të mirën e qytetarëve! Kështu pra, do të mbyllim kazino dhe do të sjellim investime në çdo vendbanim! Propagandës së parave të pista të kazinove i përgjigjemi me projekte konkrete për nevojat reale tuaja. Zhvillimi ia VLEN!”, ka shkruar zv/kryeministri Mexhiti. 
 
BDI: Për 120 ditë u rrënuan të gjitha të arriturat 
 
Por Erkan Arifi nga BDI ka lëshuar kritika në adresë të Qeverisë, si në pjesën që ka të bëjë me pozitën  shqiptarëve ashtu edhe në planin ekonomik. 
 
“Për 120 ditë nuk po lënë pa rrënuar të gjitha të arriturat për dy dekada me radhë. Sikurse në institucionet e tjera edhe në Ministrinë e Bujqësisë nga 8 pozicione udhëheqëse shqiptarët kanë pasur 5 vende kyçe. Tani VMRO ka 7 pozicione, kurse koalicioni VLEN vetëm një pozicion. Sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe në Ministri, komunikimi në formë të shkruar është i anashkaluar. Viteve të kaluara formularët për përgatitjen e seancave qeveritare kanë qenë të rregulluara në dy gjuhë, tani të njëjtit sillen vetëm në gjuhën maqedonase. Të punësuarit shqiptar në ministri kërkesat i bëjnë në dy gjuhë por përgjigjet i marrin vetëm në gjuhën maqedonase. Po ashtu edhe organet shtetërore të cilët i drejtohen ministrisë me shkresa në dy gjuhë përgjigjet i marrin vetëm në gjuhën maqedonase.”, tha Erkan Arifi nga BDI.
 
Nga BDI po ashtu theksojnë se në fushën e investimeve kapitale, me rebalancin e buxhetit janë shkurtuar mjetet për investimet kapitale në Ministrinë e Bujqësisë dhe projektet për ujitje sipas tyre janë të rrezikuara. Siç thotë Erkan Arifi nga BDI vetëm për vendbanimet shqiptare janë rrezikuar projekte në vlerë prej 100 milion eurosh. Ndërsa në cilësinë e kryetarit të komunës Arifi shprehet i pa kënaqur me metodologjinë e ndarjes së mjeteve për pushtetin lokal.
 
“Shpërndarja e këtyre mjeteve që është bërë për kokë banori mendoj që nuk është në bazë të metodologjisë së përshtatshme për arsye se p.sh Komuna e Likovës për kokë banori dhe vetëm për banorët rezident dhe nuk mirret parasysh asnjë element tjetër. Psh ne si komunë kemi 244 kilometër katror territor, kufizohemi me komunën e Haraçinës, me Republikën e Kosovës, me republikën e Serbisë, do të thotë kemi shumë sipërfaqe dhe nevoja për investime është më e madhe se një komunë me 5 kilometër që i ka 100 mijë banorë, që i marrin 5 apo 6 milion euro ndërsa ne 900 mijë euro.”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
Arifi bëri të ditur se në thirrjen e ministrisë së pushtetit lokal Komuna e Likovës ka aplikuar me tre projekte me çrast i janë ndarë 900 mijë euro. 
 
SANIJE DURAKU