Maqedoni
Nevzati: Komunat kanë të drejtë ta financojnë Akademinë
20.10.2024 14:44
Pas deklaratës së ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski se komunat nuk kanë mundësi ligjore që ta financojnë Akademinë...

Pas deklaratës së ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski se komunat nuk kanë mundësi ligjore që ta financojnë Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati e pretendon të kundërtën. Ai sqaron se Ligji për veprimtarinë hulumtuese-shkencore ka paraparë që njësitë e vet administrimit lokal përkatësisht komuant, të kenë të drejtën e financimit të veprimtarive hulumtuese-shkencore, në këtë rast Akademinë e Shkencave dhe Arteve Shqiptare. Nevzati i referohet nenit 49, paragrafi (1) të këtij Ligji, në pjesën ku është përcaktuar mënyra e financimit të veprimtarive hulumtuese – shkencore.
“Mjetet për financimin e veprimtarisë hulumtuese – shkencore sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pajtim me qëllimet dhe prioritetet e përcaktuara me Programin nacional si dhe në programet zhvillimore me interes publik për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga burime tjera: programet dhe fondet ndërkombëtare, njësitë e vetadministrimit lokal, personat juridikë, të ardhurat personale, legatët, dhuratat, testamentet, dokumentet shtesë dhe burimet.”, shkrun Nevzati në facebook.
Themelimi i Akademisë Shqiptare të Shkencave, Arifi: VLEN nuk ka dorëzuar propozim konkret
Ndërsa kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi thotë se komuna e tij nuk ka mjete buxhetore për të financuar Akademinë Shqiptare të Shkencave. Ai po ashtu thotë se VLEN nuk ka dorëzuar propozim konkret dhe se nuk kanë informacione se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.
“Nuk kemi një propozim konkret, ne nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë, nuk ka pasur as debat publik dhe nuk mund të them diçka pa të cilën nuk e dimë se për çfarë flitet. Ndërsa ne dhe unë si kryetar i komunës së Likovës, rrjedh nga një komunë rurale ku kemi edhe buxhet simbolik. Mendoj se duhet ta ruajmë atë unifikimin në shtet që kemi si bashkësi ndëretnike dhe korrelacionin ndërmjet komunës së Likovës komunave në përgjithësi në shtetin tone, BNJVL-në dhe qeverinë e RMV-së.”, tha kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi.
Dit më parë katër komuna të koalicionit VLEN, ajo e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit kanë shprehur gatishmëri që ta financojnë projektin e shoqatës së Akademikëve shqiptarë, për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave.
SANIJE DURAKU
