Maqedoni
KKPDM: Dukuritë devijante të pranishme në shkolla
20.10.2024 15:30
Në disa shkolla të Tetovës, janë të pranishme dukurit negative, si duhan pirja...

Në disa shkolla të Tetovës, janë të pranishme dukurit negative, si duhan pirja, konsumimi i lëndëve narkotike dhe shitja e tyre në ambiente të shkollave, si dhe shumë sjelle devijnte të nxënësve. Kjo u theksua në debatin e organizuar nga Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve, së bashku me udhëheqësit e shkollave. Kryetarja e këtij këshilli Blerta Ahmedi tha se për të luftuar këtë dukuri duhet të rritet më shumë bashkëpunimi me Policin, dhe shkollat.
“Nga praktika jonë, nuk mund të themi se shkollat i fshehin këto raste. Ne kemi realizuar një anketë anonime me drejtorët dhe personelin profesional të shkollave për të identifikuar problemet dhe veprimet devijante të nxënësve. Nga përgjigjet e pyetësorit ka dalë në pah se disa nxënës përdorin lëndë narkotike, madje edhe i shesin. Duhet theksuar që ky problem nuk është i pranishëm në të gjitha shkollat, por në disa raste është raportuar. Për statistika konkrete duhet t’u referoheni organeve kompetente, pasi vetëm policia i posedon këto të dhëna. Ne nuk kemi statistika të sakta, por me siguri policia i ka.”, tha Blerta Ahmedi, kryetare e KKPDM.
Kasami: Masa për pengimin e dukurive devijante
Se në shkolla ka sjelljen devijane është i informuar edhe kreu i Tetovës Bilall Kasami, i cili tha se nuk ka ndonjë ankesë zyrtare nga drejtuesit e shkollës, por tha se këto raste nuk duhen të fshihen nga udhëheqësit e shkollave.
“Informatë që qarkullon gjithandej është se ka keqpërdorime të fëmijëve në tualete të shkollave ku ndoshta pihet duhan apo edhe veprime tjera të pahijshme, këtu e kemi menduar mundësinë dhe do të shikohet me sektorin për arsim në kuadër të komunës që të instalohen edhe detektorë të tymit nëpër tualetet e shkollave sepse nuk kemi ndonjë denoncim nga profesorët, drejtoria e shkollave edhe pse bisedohet gjithandej në qytet se tualetet e shkollave keqpërdoren për kështu raste. Nuk është qëllimi që këto raste me t’i hedhim ndër tepih, përkundrazi të ballafaqohemi me këto situata dhe të merren masat adekuate.”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Problematike mbeten edhe rastet e dhunës midis nxënësve. Nga Policia e Tetovës thonë se edhe pse numri i rasteve të tilla është në rënie, ato ende mbeten të pranishme. Sipas tyre në vitin 2023 në Policinë e Tetovës u regjistruan 16 raste të dhunës në shkolla. Kurse në pesë muajt e parë të vitit 2024 janë regjistruan 7 raste. Gjykata e Tetovës për dhunë ndaj nxënësve nga viti 2020 deri në 2023 ka të regjistruara 197 lëndë, ndërsa ka sjellë 186 aktgjykime.
VISAR SADIKI
