Maqedoni
Zjarret dhe dezinformatat: Si lajmet e rreme përkeqësuan krizën në RMV
20.10.2024 16:22
Kur natyra tregon anën e saj më të egër, njerëzimi është i gatshëm të reagojë....

Kur natyra tregon anën e saj më të egër, njerëzimi është i gatshëm të reagojë. Por çfarë ndodh kur informacionet që marrim janë të rreme? Në kohë katastrofash natyrore, dezinformatat mund të krijojnë kaos shtesë, të fusin qytetarët në panik dhe të komplikojnë përpjekjet e shpëtimit. Nga njoftime të rreme për tërmete të tjera, deri te këshilla të sajuara për përballimin e katastrofave – si mund lajmet e rreme ta përkeqësojnë krizën?
Këtë vit, Maqedonia e Veriut u përball me zjarre shkatërruese, ndikimi i të cilave u ndje jo vetëm në terren por edhe në hapësirën online. Gjatë kësaj periudhe, u shpërndanë dezinformata të ndryshme, si për shembull një foto e cila pretendonte se zjarret ishin shkaktuar nga "balona në ajër." Më vonë u zbulua se kjo fotografi ishte e vjetër, rreth 10 vjet më parë dhe ishte bërë në SHBA. Përveç kësaj, pati përpjekje për të manipuluar informacionet lidhur me shkallën e dëmit të shkaktuar nga zjarret, duke rritur panikun në publik.
“Dezinformata bazë apo themelore ishte se është djegur 10% i gjithë territorit të vendit, që është diçka e pamundur në realitet, për shkak se vetë natyra nuk do të lejon të ndodh një gjë e tillë për shkak se bie shi dhe e ndalon, nëse ne si sistem nuk mundemi. Hapësirta e djegur është shumë më pak se ajo 10% që pretendon opozita, madje edhe vet zonat ku ka pasur zjarre nuk janë të djegura të gjitha. Nëse ju tani shkoni në Ovçe Pole në vendet ku ka pasur zjarre ju as që do të vëreni diçka, ka mbirë bar i ri i gjelbër pas reshjeve të shiut.”, tha drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.
Shpërndarja e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në kohë të fatkeqësive ndikon negativisht në psikën e njeriut, alarmojnë psikologët. Zakonisht lajmet e tilla krijojnë mungesën e besimit në autoritetet, e që pastaj kjo situatë shton stresin.
“Me shtimin e stresit automatikisht kemi të bëjmë me gjendje fobi dhe ankth dhe kur kemi gjendje fobi dhe ankth, natyrisht kjo gjendje bashkëvepron me çrregullim tjetër më të rëndë psikologjik. Natyrisht që në bazë të krejt rrethanave që mund të shkaktojnë fenomenet natyrore ajo që do të ishte e duhur dhe ajo çka ne rekomandojmë si psikolog është që të merren preventiva dhe është shumë me rëndësi të merren informacionet e sakta nga burimet zyrtare të autoriteteve të shtetit.”, u shpreh psikologu Arbër Kadriu.
Vetëm përmes shtimit të transparencës mund të rritet edhe besueshmëria në institucione. Këtë e konfirmon edhe situata e fundit në SHBA, veçanërisht rasti i Floridës, ku transparenca në komunikimin e institucioneve luajti një rol kyç në adresimin e krizës.
ERSAN PAJAZITI
