Kulturë

Kumanovë, u mbajt festivali “Balkan Fest”

20.10.2024 16:40

Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Bajram Shabani" në Kumanovë...

Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Bajram Shabani" në Kumanovë u mbajt edicioni i 4 - të i festivalit ndërkombëtarë "Ballkan Fest".
 
Kumanovarët për dy netë radhazi patën rastin që të kalojnë çaste të bukura me pjesëmarrës të Ansambleve dhe shoqërive kulturore artistike nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Turqia, Kosova, Mali i zi dhe Lugina e Preshevës.
 
“Ansambli i Këngëve dhe Valleve Bajram Shabani, ka arritur që në këtë vit të bëjë bashkë traditat shqiptare në Kumanovë me shumë këngë e valle për dy netë me radhë nga të gjitha trevat etnike. Në këto dy netë do të performojnë Ansamble si nga RMV, Shqipëria, Kosova, Ulqini, Presheva si dhe shqiptarët nga Ienigjoli i Turqisë.”, theksoi Vlera Bajrami nga AKV “Bajram Shabani” – Kumanovë.
 
“Ky është edicioni i katërt, kështu ushqehet tradita, kështu ushqehet kultura shqiptare, ne sonte edhe nesër jemi munduar që t’ju sjellim vallen, këngën shqipe nga të gjitha trojet shqiptare por në mënyrë të veçantë përshëndes dhe falënderoj mysafirët nga Ienigjoli i Turqisë të cilët marrin pjesë, shqiptarë. Besoj se misionin ne e kemi kryer për këto dy netë, ju kemi sjellë kumanovarëve një festival të begatë.”, theksoi para të pranishmëve kryetari i  AKV “Bajram Shabani” – Kumanovë, Dritan Ramadani.
 
Krejt në fund të festivalit “Balkan Fest”, juria profesionale e përbërë nga Emin Gaxha – Koreograf, Arben Asllanaj – Instrumentalist e profesor, si dhe Sokol Latifi – profesor i muzikës, bënë edhe zgjedhjen e më të mirëve të këtij festivali me karakter konkurues, çmime iu ndanë: Paraqitja artist më e mirë iu nda Jusuf Hasanllar, Instrumentalisti më i mirë – Mustafë Bajrami, Valltarja më e mirë – Riga Saiti, Valltari më i mirë – Tefik Dushlaku, Paraqitja skenike më e mirë – SHKA “Ienigjol Rumeli Arnavut”, Koreografia më e mirë – QKA “Anamorava” Viti, Këngëtarja më e mirë – Gjylie Pelingu Hoxha, Këngëtari më i mirë – Selajdin Miftari dhe Naim Aliu, Orkestra më e mirë – Gjilani, Vendi i tretë i takoi AKV “Myzeqeja” nga Fieri i Shqipërisë, Vendi i dytë AKV “Ibe Palikuqi” nga Shkupi si dhe Vendi i parë iu nda SHKA “Olcinium” nga Ulqini i Malit të Zi, kurse Çmimi i publikut shoi për Erion Aliti.
 
Ndryshe ky Festival tanimë është tradicional dhe financohet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Kumanovës, por që ndihmohet edhe nga afaristë Kumanovarë.     
 
FATLUM AQIFI