Shuhet Fetullah Gyleni, rivali i Erdoganit
Kleriku turk, Fetullah Gylen, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara....

Kleriku turk, Fetullah Gylen, ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara. Gyleni, dikur aleat i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, ishte akuzuar për orkestrimin e grushtshtetit të dështuar në Turqi në vitin 2016.
“Mësuesi ynë vdiq më 20 tetor 2024 në orën 21:20 në spitalin ku për një kohë po trajtohej.”, tha ueb-faqja Herkul në një postim në X, duke shtuar se mjekët e tij do të dalin me një deklaratë lidhur me këtë çështje në orët në vijim.
CNN Turk citoi nipin e Gylenit, që konfirmoi njoftimin e ueb-faqes Herkul, ndërkaq Erxhan Karakojun, kryetari i Fondacionit për Dialog dhe Arsim, po ashtu tha se Gyleni vdiq të dielën.
Gyleni kishte jetuar në mërgim në ShBA që nga viti 1999 dhe i ishte hequr shtetësia turke më 2017. Grushtshteti i dështuar kundër Erdoganit dhe Qeverisë së tij ishte një pikë kthese për shtetin. Afër 250 persona u vranë, kur ushtarët e rebeluar rrëmbyen avionë, tanke dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake, teksa tentuan të rrëzonin presidentin nga pushteti.
Kjo ngjarje nxiti Qeverinë turke që të shpallte luftë kundër rrjetit të Gylenit – e njohur si Hizmet, që në shqip do të thotë shërbim – duke thënë se ai është përgjegjës për puçin, akuzë e mohuar nga Gyleni.
Turqia e konsideron organizatë terroriste lëvizjen Hizmet. Kjo lëvizje ka ndikim dhe kryesisht është e përfshirë në aktivitete arsimore dhe promovon shoqërinë civile.
