Botë

Tiranë, arrestime të bujshme, SPAK-u arrestoi Metën dhe deputetin, Çyrbja

21.10.2024 14:00

Dy arrestime të bujshme kanë ndodhur brenda 24 orëve në Shqipëri....

Dy arrestime të bujshme kanë ndodhur brenda 24 orëve në Shqipëri. SPAK-u arrestoi sot në mesditë kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndërsa pak orë më parë deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Meta u arrestua pranë një qendre tregtare në Tiranë, ku ishte nisur drejt selisë së partisë për të mbajtur një konferencë për shtyp. Ndonëse, SPAK-u nuk ka bërë ende një njoftim, mësohet se Meta është arrestuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Në fillim të korrikut, SPAK-u regjistroi një procedim penal për krijimin e një skeme të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, me në krye çiftin Meta-Kryemadhi, ndërsa një muaj më vonë SPAK-u mori nën hetim Ilir Metën për lobim në ShBA me vlerë prej 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP.
SPAK-u ka vendosur detyrim paraqitjeje edhe për Monika Kryemadhin, në proces divorci me Metën. Sali Berisha e quajti këtë arrestim politik dhe tha se Rama ka dashur të eliminojë fizikisht Metën.
 
Ndërkohë mbrëmjen e së dielës u arrestua ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja, me akuzat se bashkëpunonte me kriminelë gjatë kohës kur ushtronte detyrën e lartë, duke u shitur atyre të dhënat sekrete shtetërore dhe duke dekonspiruar operacione ndërkombëtare. (Luljeta Ndoka, TVM2)