Integrimet, Mickoski: E ardhmja jonë është në BE

21.10.2024 15:30

E ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian...

E ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian dhe në atë aspiratë janë bërë lëshime dhe hapa të shumtë që dëshmojnë përkushtimin për të ardhmen evropiane, ka thënë kryeministri, Hristijan Mickoski, në Salzburg në kuadër të Samitit kushtuar perspektivës dhe reformave të Unionit, organizatë nga e cila pret transferimin e vendit nga dhoma e pritjes në familjen evropiane.

“Ajo që mungon është vullneti i ndjekur nga veprimet që rajoni të kalojë realisht nga dhoma e pritjes evropiane drejt realizimit të së ardhmes evropiane. E ardhmja e rajonit është në transformimin dhe ndërlidhjen ekonomike dhe politike. Ne po luftojmë që kompanitë maqedonase të dalin përtej kufijve, të ndihmojnë eksportet dhe të tërheqin kapital të huaj. Deri më tani në këtë periudhë të shkurtër kemi treguar rezultate dhe së bashku do të bëjmë shumë më tepër.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, Murtezani: BE-ja s’e ka hedhur tërësisht propozimin

Ndërkohë, në platformën qeveritare në Shkup dy figurat e integrimit dhe politikës së jashtme, Murtezani dhe Mucunski, sqarohen sërish për pengesat e rrugës integruese. Propozimi qeveritar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim, si i tillë nuk është injoruar totalisht nga institucionet e BE-së, pohon Murtezani.

“Ai nuk është propozim që është hedhur poshtë në tërësi. Në momentin kur nuk largohet në tërësi do të thotë se Brukseli e kupton thelbin e asaj që ne e kontestojmë dhe kjo jep hapësirë që ne të vijmë deri tek një vendim i pranueshëm. Ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, të jemi kreativ dhe në komunikim permanent me partnerët tanë, sepse shohim se ka mundësi për zgjidhje potenciale.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.

Mucunski: E dimë kushtin, por na duhet siguri

Edhe shefi i diplomacisë, Mucunski, pranon se ndryshimet kushtetuese  janë kusht për të ecur përpara. Pret që të ketë ndonjë lloj rezultati me formimin eventual të Qeverisë legjitime në Bullgari.

“Ne si qeveri kemi vetëdije se ndryshimet kushtetuese janë kusht për fillimin e bisedimeve. Mos të dalë se ministrja në Gjermani tha një gjë e ne tjetër gjë. Jo! Të gjithë e dimë se ky është kushti. I vendosur gabimisht, por për momentin ky është kushti. Por, si të jemi të sigurt se ky do të jetë kushti i fundit nga profili i këtillë që nuk lidhet me standardet evropiane, por me çështjen bilaterale të ngritur nga fqinji lindor?”, - theksoi ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, Timço Mucunski.

Maqedonia e Veriut në mungesë të reformave gjatë rrugëtimit të saj mund të përballet edhe me bllokada të reja nga vendet anëtare të BE-së, që mund të vijnë si pasojë e papërgjegjësisë qeveritare, u tha nga folësit në Platformën “100% të përkushtuar për ty”, prandaj vunë theksin edhe te implementimi i agjendës së reformave dhe kritereve të tjera që i kërkojnë standardet evropiane. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)