Emërimi i Hristovskit në ASK, Filipçe: VMRO-ja partizon dhe “kidnapon” ASK-në

21.10.2024 15:51

Nuk ndalen reagimet e partive politike...

Nuk ndalen reagimet e partive politike pas emërimit të drejtorit të ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerëson se emërimi i tij është bërë nga vetë kryeministri, i cili sipas Filipçes, kjo paraqet partizim të drejtpërdrejtë dhe “kidnapim partiak” të kësaj agjencie. Socialdemokratët janë tej mase të pakënaqur, të shqetësuar.

Nuk e pranojnë jo vetëm emërimin e tij, por edhe shkrirjen e paralajmëruar të Agjencisë për Siguri Kombëtare me Agjencinë për Zbulim.

Andaj LSDM-ja do t’i informojë të gjithë faktorët e fushës së sigurisë ndërkombëtare dhe do t’u kërkojë ndihmë për ta parandaluar, ndërsa presidentes Siljanovska Davkovës, i bën thirrje, që të mos e lejojë shkrirjen e të dyja agjencive.

“Në këtë mënyrë Mickoski kujton paraardhësin e tij partiak kur këto institucione përdoreshin për ballafaqim me disidentët politikë dhe gazetarët. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta interpretuar këtë emërim në këtë pozicion vërtet të ndjeshëm. Ne do t'i informojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë dhe do të kërkojmë mendimin dhe reagimin e duhur për emërimin e Hristovskit.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

BDI: Qeveria partizon dhe degradon shqiptarët

Edhe partia e integristëve të Ali Ahmetit ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Hristovskit në krye të kësaj agjencie. Edhe BDI-ja, me të njëjtin vlerësim. Emërimi paraqet partizim të skajshëm dhe njëherit degradon shqiptarët nëpër institucionet e sigurisë.

“Me emërimin në krye të Agjencisë për Siguri Nacionale të kuadrit të VMRO-DPMNE-së, Bojan Hristovski, i cili në shkurt të vitit 2023 ishte emëruar kryetari i komitetit të VMRO-DPNE-së për qytetin e Shkupit. Kjo përzgjedhje ka përhapur shumë dilema ku me të drejtë mund të dyshojmë se intenca është që institucionet e sigurisë të kthehen në çerdhe partiake.”, - theksoi Valdet Xhaferi nga BDI.

VMRO: Ai është i duhuri, do ta departizojë ASK-në

I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së ku hodhën poshtë këto akuza. Arsyetojnë se Hristovski është kuadër profesional, i vendosur në vendin e duhur, i cili mes tjerësh do të departizojë Agjencinë për Siguri Kombëtare.

“LSDM-ja nuk ka kredibilitet të flasë, sepse ato e kanë partizuar dhe e rrënuan sistemin e sigurisë kombëtare. Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia për Zbulim më herët kanë punuar për LSDM-në, në vend që të punonin për qytetarët. Qeveria e VMRO-DPMNE-së po zbaton sistemin e profesionalizimit të shërbimeve në sigurinë kombëtare. Agjencia për Siguri Kombëtare dhe shërbimet tjera tani më tutje do të punojnë për qytetarët.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Me emërim të Qeverisë, Bojan Hristovski tashmë është pesë ditë drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare. Ai u emërua në këtë postë, pasi Qeveria paraprakisht shkarkoi ish-drejtorin e kësaj agjencie, Zharko Milloshevskin. (Rexhep Qamili, TVM2)