Ekonomi

Paga minimale, përplasen pushteti me opozitën

22.10.2024 15:44

Kanë vazhduar përplasjet mes pozitës dhe opozitës për sa i përket kërkesës së LSDM-së...

Kanë vazhduar përplasjet mes pozitës dhe opozitës për sa i përket kërkesës së Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë për propozim-ligjin e dorëzuar në Kuvend për rritjen e pagës minimale.  LSDM-ja e ka dorëzuar në Kuvend Ligjin për rritjen e pagës minimale, ku parashihet që paga minimale të rritet në 27.700 denarë, përkatësisht 450 euro. 
 
“Ky nuk është vetëm një numër, ky është një hap drejt një të ardhmeje më të mirë për çdo punëtor, për të gjithë ata që luftojnë për të siguruar kushte më të mira për familjen e tyre. VMRO-DPMNE-ja tashmë e ka refuzuar kategorikisht propozimin tonë, por ne themi – nuk është koha për interesa partiake.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
Por, ky propozim i LSDM-së ka hasur në vesh të shurdhur te VMRO-DPMNE-ja e cila nuk do ta mbështesë në Kuvend. Thonë se ky veprim i LSDM-së është edhe një tallje me ndjenjat e qytetarëve dhe të punëtorëve.
 
“Pas fiaskos së djeshme të grupit parlamentar të LSDM-së me dorëzimin e Ligjit për pagën minimale, sot jemi dëshmitarë edhe të një skandali të tillë të LSDM-së, e cila po bën përpjekje të fabrikojë tema ekonomike, të cilat nuk përkojnë me realitetin. LSDM-ja thotë se masat e Qeverisë nuk kanë dhënë efekt, ndërsa nga ana tjetër Sindikata thotë se shpenzimet mujore janë ulur për 935 denarë. Apeloj LSDM-në që mos të bëjnë gabime të tilla, sepse neve na duhet opozitë serioze.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski. 
 
Nga ana tjetër nga Konfederata e Sindikatave të lira, gjatë një debate për dialogun social me përfaqësuesit e Qeverisë, janë shpreh optimist se zgjidhjet do të gjenden edhe pagën minimale. 
 
“Biseduam edhe për pagën minimale, ku ne i kemi dorëzuar analizat dhe propozimet tona dhe besoj se shumë shpejt do të vijmë deri tek një zgjidhje e pranueshme. Neve po na gëzon fakti se buxheti shtetëror po i kthehet normalitetit, e kjo nënkupton edhe më shumë mjete për punëtorët.”, - u shpreh kryetari i Konfederatës së Sindikatës, Bllagoja Rallpovski.
 
Kur jemi tek paga minimale, Enti Shtetëror i Statistikave ka dalë me një komunikatë, ku thotë se paga mesatare mujore e paguar neto për punonjës, në gusht të vitit 2024 ishte 41.097 denarë, që është 12.9 për qind më e lartë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. 
 
FITIM KRYEZIU