Propozim-ligji për të ashtuquajturit “branitella”, “E Majta” dorëzon kallëzim penal ndaj Gashit

22.10.2024 16:02

“E Majta” dorëzoi kallëzim penal ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi...

“E Majta” dorëzoi kallëzim penal ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, pasi sipas tyre, ka bllokuar ligjin për të ashtuquajturit “branitella”.

Nga “E Majta” thonë se kryetari i Kuvendit është kompetent për ta thirrur komisionin, pasi këtë nuk e ka bërë kryetarja e komisionit amë për politikë sociale,  Ilire Dauti.

Nga “E Majta” thirren në nenin 126, paragrafi 3 i rregullores, që sipas tyre obligon kryeparlamentarin ta thërrasë seancën duke caktuar anëtarë për ta kryesuar.

“Afrim Gashi, para një muaji, më 16 shtator deklaroi për mediat se ai nuk ka ndër mend të zhbllokojë Ligjin për “branitellat”, nuk ka për qëllim të thërrasë seancën e komisionit kompetent. Me këtë, Afrim Gashi nuk përmbush obligimet e tij sipas rregullores, me papërgjegjshmëri kryen obligimet e tij, dëmton detyrën zyrtare  duke kryer vepër penale.”, - deklaroi deputeti i “Së Majtës”, Sashko Jançev.

Nga kabineti i Gashit nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim ndaj padisë. Por, nga partia e tij kanë deklaruar se ligji nuk do të miratohet dhe do të mbahet i bllokuar nga VLEN-i.

Socialdemokratët, propozues të ligjit, thonë se s’do të heqin dorë nga ligji. Hapat konkretë do t’i zbulojnë ditët në vijim.

“Dje kishim koordinim të grupit parlamentar, biseduam për hapat e mëtejmë për Ligjin e “branitellave”. Ditëve në vijim do të dalim para opinionit për të gjitha aktivitetet që do të ndërmarrim, sa i takon këtij ligji. Nuk heqim dorë nga miratimi i ligjit për “branitella”., - theksoi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.

Socialdemokratët nuk heqin dorë nga ligji, VMRO: A do të përfshihen veteranët e UÇK-së?

VMRO-DPMNE-ja, përkrahës të ligjit, arsyetohen me përpjekjet që ligji të vihet në rend dite. Pyetën LSDM-në nëse në të do të përfshihen edhe veteranët e UÇK-së.

“Kërkuam që të ngrenë edhe interpelancë për Dautin, e ne do ta votonim, as këtë nuk e bënë. Haptazi pyes se mos ishte gabim teknik qëndrimi i Bogdanka Kuzeskës, e cila tha se janë të hapur të bisedojnë që në atë zgjidhje ligjore të Sllavjanka Petrovskës, të përfshihen edhe veteranët e UÇK-së?!”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

Propozim-ligji i deputetes socialdemokrate dhe ish-ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, parashikon që për të ashtuquajturit “branitella” dhe familjet e tyre të ketë rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro maksimumi si vlerë mujore, në 82 mijë euro kompensim i njëhershëm, nëse shkalla e invaliditetit është e plotë. (Meral Ismaili, TVM2)