Izraeli bombardon Libanin dhe Gazën, 20 të vrarë në Gazë dhe 13 në Liban

22.10.2024 16:46

Pasi Hezbollahu libanez lëshoi një breshëri raketash...

Pasi Hezbollahu libanez lëshoi një breshëri raketash në Izrael dhe pas vrasjes së udhëheqësit kryesor të Hamasit, Jahja Sinvar, tensionet në Lindjen e Mesme çdo ditë vijnë duke u përshkallëzuar.

Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, ka rinisur përpjekjet për armëpushim dhe qëndron në Izrael në vizitën e tij të 11-të, që kur ka nisur lufta në Gazë.

Pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtarëve, Izraeli nuk e ka në plan të ndalojë. 13 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në një sulm ajror izraelit afër një spitali në jug të Bejrutit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

"Paralajmërimi ishte i frikshëm. Ne u detyruam të evakuoheshim menjëherë. Të gjithë morën telefonat e tyre, shumë njerëz lanë gjërat e tyre pas. Ne i nxorëm të gjithë punonjësit jashtë. Kishte disa pacientë, i transferuam. I morëm dhe i transferoi shumë larg.”, - deklaroi drejtori i spitalit “Sahel”, Mazen Alame.

"Një gjë e tillë është e pritshme nga Izraeli. Të njëjtën gjë ata e bënë në Gazë,  bombarduan spitalet duke përdorur një justifikim se kishte diçka atje nën spitale. Prandaj ne kemi frikë, sepse e dimë se çfarë bëjnë ata.”, - theksoi kuzhinieri në spitalin “Sahel”, Uafa Barakat.

Izraeli pretendon se ka bunker me ar nën spital. Sipas zëdhënësit të ushtrisë Izraelite, në gjendje luftë mund të  bombardohen edhe spitalet.

“Hezbollahu e ndërtoi këtë bunker direkt nën këtë spital. Ka qindra miliona dollarë para dhe ar brenda bunkerit. I bëj thirrje qeverisë libaneze, autoriteteve libaneze dhe organizatave ndërkombëtare: Mos lejoni që Hezbollahu të përdorë paratë për terror dhe për të sulmuar Izraelin. Ne do ta godasim spitalin, por nuk do ta bëjmë vetë, pasi kjo është gjendje lufte. Nuk jemi në luftë më popullin libanez, por me Hezbollahun.”, - u shpreh zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari.

Ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet edhe në Rripin e Gazës. Në sulmet e ushtrisë në rajonin Mesru Beit Lahija dhe kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës u vranë 20 palestinezë.

Izraeli hodhi fletushka nga ajri, duke kërkuar nga palestinezët të zhvendosen në Jug të Gazës.

Sipas dëshmitarëve okularë, në momentin që u hodhën fletushkat u bombardua zona Meshru Beit Lahija dhe njerëzit nuk kishin kohë të largohen.

Numri i të vrarëve deri tani në Gazë i afrohet shifrës 43 mijë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)