RMV shënon 23 Tetorin, Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase
Sot në Maqedoninë e Veriut festohet 23 tetori, Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase....

Në Maqedoninë e Veriut sot është festë shtetërore, 23 Tetori shënon Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase, datë e cila shënohet nga vitit 2007. Kjo ditë është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova kërkoi nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut të shënojnë këtë ditë historike në harmoni, paqe dhe të lumtur, duke përkujtuar ëndrrën e revolucionarëve maqedonase.
“Të angazhohemi për atdheun dhe ta ruajmë, pasi tjetër nuk kemi! Të respektojmë njëri-tjetrin, pasi pa neve të gjithëve, nuk ka shtet të Maqedonisë.”, deklaroi sot presidentja Gordana SIljanovska – Davkova.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, përkujtoi që me themelimin e Organizatës Revolucionare Maqedonase në vitin 1893 u krijuan bazat e luftës së organizuar për liri dhe pavarësi.
“Lufta dhe mosnënshtrimi i vazhdueshëm gjatë dekadave që vijuan rezultuan në krijimin e një shteti, në të cilin brezi i sotëm i gëzon frytet e pavarësisë dhe demokracisë. Brezi i sotëm në shtetin tonë përballet me tundime të ndryshme dhe është vendosur para qëllimeve të tjera. Qëllimi ynë strategjik tani është anëtarësimi i plotë në BE dhe vendosja e mëtejshme në NATO si vend-anëtar i barabartë.”, deklaroi Gashi.
Çmimi Shtetëror “23 Tetori” sivjet i ndahet poetit Sllave Dimoski për arritje shumëvjeçare në fushën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore dhe historike me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
