Maqedoni

"23 Tetori", Siljanovska amniston dhjetë të burgosur

23.10.2024 14:44

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova me rastin e festës "23 Tetori" ka amnistuar dhjetë të dënuar...

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova me rastin e festës "23 Tetori" ka amnistuar dhjetë të dënuar. Davkova me këtë rast ka falur ish kryetarin e Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, i cili vuante dënimin me burg për lëndën “Transportuesi”. Talevski ishte dënuar me 7 vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar për organizimin e transportit shkollor, por për shkak se në arrest shtëpiak kaloi 3 vjet, për mbajtjen e dënimit i duheshin edhe 4 vjet në burg. Krahas ish-kryetarit të Manastirit, Vladimir Taleski, janë amnistuar edhe nëntë të burgosur të tjerë, ndërsa në vendimin e publikuar në “Gazetën Zyrtare” nuk janë theksuar të dhëna për vepra kriminele. 
 
Sipas vendimit, ekzekutimi i dënimit të shqiptuar me burg zëvendësohet me dënim me kusht për personat: Akif  Bejadin Ravmanoski, Nikolla Dimitria Tripçevski, Shenol Bavçar Masllani. Gjithashtu, pjesërisht lirohen nga ekzekutimi i mëtutjeshëm i pjesës së papërfunduar të dënimit Muharrem Veap Ali nga Shkupi, Todor Dimitar Popov nga fshati Miravci, Tomislav Ilija Simonov nga Shkupi, Pero Stojan Kuzmanovski dhe Zhivko Andon Delixhakov nga Bogorodica, Marjan Milço Efremov nga Shkupi.
 
Ndërkohë, sa i përket vendimit në fjalë presidentja Siljanovska Davkova ka deklaruar se ajo respekton vendimin e Komisionit për falje që sipas sajë është e përbërë nga ekspertë të kësaj fushe.
 
“Po personazhet janë vërtet interesant në kuptimin negativ të fjalës, ky është fakt, tani e shoh, por them se janë udhëhequr nga veprat konkrete. Mendoj se ka një mënyrë për ta sanksionuar sepse po të ishte krimi anëtarësim në organizata kriminale dhe nuk e di sa të rrezikshme do të ishte ndoshta ndryshe. Pra, e respektoj diturinë, i nënshkruaj vendimet, por them që asnjëherë nuk do të ndërhyj drejtpërdrejt në punën e komisionit, është e vërtetë që unë e kam fjalën e fundit, por kjo duhet të merret parasysh.”, tha presidentja shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
LSDM për amnestimin: Siljanovska ta tërheq vendimin skandaloz
 
Për vendimin e Siljanovskës nuk kanë munguar reagimet në opinion por edhe as të partisë maqedonase në opozitë LSDM. Sipas tyre bëhet fjalë për amnistime shokante dhe skandaloze andaj kërkojnë nga presidentja që menjëherë ta tërheq këtë vendim.
 
“Me këto vendime skandaloze Davkova qëndroi në mbrojtje të kriminelëve dhe klaneve të drogës. Kjo është shkelje e ligjit dhe e shtetit ligjor. Kjo është një goditje e fortë për sigurinë e qytetarëve dhe për punën e policisë dhe institucioneve kompetente. E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur sistemi i sigurisë është i kërcënuar dhe me partizimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Kriminelët e dënuar duhet të përballen me drejtësinë dhe të mos ecin të lirë dhe të shajnë në rrugë.”, tha Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
 
“E Majta”: Siljanovska amnistoi anëtarë të narko-kartelit!
 
Vendimin për amnisti të presidentes Siljanovska skandaloz e ka vlerësuar edhe partia e Dimitar Apasievit. Sipas tyre kjo tregon se qeveria e re u ka “borxh” nëntokës kriminele.
 
“Për faljet në Ditën e VMRO-së tërësisht janë përjashtuar mbrojtësit e Kushtetutës, që në periudhën parazgjedhore ishin keqpërdorur për pikë politike, kurse pas zgjedhjeve janë injoruar dhe të harruar. Rikujtojmë se Mickoski në zgjedhje u prezantua me premtimin se do ta “lirojë” Shkupin nga grupet që e terrorizojnë. Sikurse premtimet tjera që DPMNE i shkeli, narko-kartelët do të vazhdojnë ta terrorizojnë Shkupin, me “amin” të Siljanovskës dhe Mickoskit.”, – thuhet në reagimin e “Levicës”. 
 
FLORIJE BELULI KAMBEI