Botë
Von der Leyen mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Rama
23.10.2024 17:55
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të turit 6 ditor në gjashtë shtetet e rajonit…

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e nisi turin e Ballkanit Perëndimor nga Tirana. Ajo u prit me një ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama dhe më pas vijuan takimin kokë më kokë. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Von der Leyen tha se synohet që brenda vitit të ardhshëm të hapen të gjithë grup-kapitujt me BE.
"Të jeni të sigurtë që zgjerimi do të vijojë të jetë përparësi dhe në mandatin tim të ardhshëm. Gjërat kanë ecur shpejt dhe nëse vijojnë siç duhet ne ndoshta do të hapim të gjithë grup kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Plan ambicioz prandaj të mos ketë një datë dhe ky proces varet nga merita e çdo vendi.", tha Von der Leyen.
I vetëdijshëm për atë që e pret Shqipërinë, Rama tha se janë me mijëra detyra që duhen përmbyshur.
“Ka një gjë që shqiptarët nuk kanë asnjë debat, që vendi ynë, Shqipëria është në BE dhe që e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në BE dhe nëse ka një mision të të gjithë shoqërisë, gjitha partive është të kontribuojë që kjo gjë të ndodh sa më shpejt.”, tha Rama në konferencën e përbashkët për median me presidenten e KE-së.
Vizita vijoi me inaugurimin e Kolegjit të Evropës në Tiranë, ndërsa të enjten presidentja e Komisionit Evropian do të takohet me presidentin e republikës Bajram Begaj. Vizita është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
LULJETA NDOKA
