Botë
Nisin bisedimet dypalëshe në Bruksel, nuk dihet a do të ketë takim trepalësh
24.10.2024 11:09
Në Bruksel po mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë...

Në Bruksel po mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Siç raportohet, takimet dypalëshe kanë filluar dhe delegacioni serb do të jetë i pari që do të bisedojë me ndërmjetësit evropianë.
Herën e fundit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, më 17 shtator në BE, por asokohe nuk kishte takim trepalësh. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka folur dje në një konferencë për media se në agjendë, si edhe më parë, është nevoja për qasje urgjente ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që të dyja palët përfundimisht të pajtohen për procesin, pra për përparim në dialog.
“Në çfarë formatesh dhe si do të vazhdojmë nesër, ne gjithmonë përpiqemi të mbajmë koreografinë e zakonshme, por siç e dini, nëse do të ketë një takim trepalësh, kjo varet shumë nga gatishmëria e të dyja palëve për t’u takuar në një format të tillë trepalësh.”, tha Stano të mërkurën.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk është mbajtur në Bruksel, sepse siç kishte deklaruar ai, pala serbe e ka kushtëzuar agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Prishtinën.
