Botë
Sulmi terrorist në Ankara,Turqia sulmon kurdët në Irak dhe Siri
24.10.2024 11:18
Pesë persona janë vrarë në një sulm terrorist në Turqi në selinë e një kompanie të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore...

Pesë persona janë vrarë në një sulm terrorist në Turqi në selinë e një kompanie të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, kanë thënë autoritetet. Ministri i Brendshëm, Ali Jerlikaja tha se dy sulmuesit, një burrë dhe një grua u vranë. Dy nga 22 të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.
Të shtëna të shumta u dëgjuan pasi forcat turke të sigurisë hynë në vend, në kryeqytetin e Ankarasë, raportuan mediat lokale. Putini, i cili po pret liderët botërorë në një samit të bllokut BRICS të ekonomive në zhvillim, shprehu ngushëllimet e tij. Një nga viktimat u identifikua si inxhinierja mekanike Zahide Guxhlu, e cila kishte shkuar në hyrje për të marrë lulet e dërguara nga burri i saj, tha Agjencia shtetërore Anadolu.
Ndërsa askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë, ministria turke e mbrojtjes tha se avionët e saj kanë kryer sulme ajrore në veri të Irakut dhe Sirisë veriore kundër objektivave të PKK-së në përgjigje të sulmit. PKK-ja konsiderohet një grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë. Në total, 32 objektiva u goditën dhe operacionet ajrore po vazhdonin, tha ministria.
Militantët kurdë, grupi i Shtetit Islamik dhe ekstremistët e majtë kanë kryer të gjithë sulmet në vend në të kaluarën. Mediat turke thanë se sulmuesit arritën në një hyrje në kompleksin TUSAS me një taksi. Sulmuesit, të cilët mbanin armë sulmi, shpërthyen një mjet pranë taksisë, duke shkaktuar panik dhe duke i lejuar ata të hynin brenda.
