Maqedoni
Cilësia e sistemit arsimor, Janevska: RMV-ja posedon sistem modern arsimor
24.10.2024 14:14
Pas angazhimit intensiv dhjetëvjeçar të shtetit për të rikthyer cilësinë dhe vlerën e shkollave të mesme profesionale...

Pas angazhimit intensiv dhjetëvjeçar të shtetit për të rikthyer cilësinë dhe vlerën e shkollave të mesme profesionale dhe për të riafirmuar sistemin informal të trajnimit, aktualisht kemi një sistem modern të arsimit dhe formimit profesional. Kështu vlerëson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në ngjarjen finale të projektit "Rritja e atraktivitetit, rëndësisë dhe gjithëpërfshirjes së arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit të të rriturve", i cili u zbatua në tre vitet e fundit me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
“Kemi shkolla të mesme profesionale të plota, në të cilat studiojnë më shumë se 70% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të shkollave të mesme në vend. Shumica e objekteve shkollore janë të pajisura mirë dhe disa janë duke u pajisur për momentin. Planprogramet janë reformuar dhe ofrojnë më shumë trajnime praktike në zbatimin e të cilave janë të përfshira mbi 550 kompani, kurse sistemi i bursave ofron më shumë se 1.500 bursa për nxënësit që zgjedhin arsimin e mesëm profesional.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Albu: BE-ja kontribuon për avancimin e arsimit në RMV
BE-ja kontribuon në avancimin e sistemit arsimor në vend, u tha me këtë rast, duke potencuar se reformat duhet të përshtaten me nevojat reale të tregut të punës.
“Objektivi ynë është që të sjellim sistemin edukativ të RMV-së drejt një niveli të ri, ta bëjmë atë më inkluziv dhe t’i përkojë realitetit në të cilin ndodhemi. Edhe edukimi dhe trajnimi i të rriturve janë pjesë e reformave dhe kualifikimet duhet të përshtaten me nevojat reale të tregut të punës, në mënyrë që të parandalojmë migrimin e të rinjve nga vendi.”, - theksoi udhëheqësi i Sektorit për delegacion të BE-së, Aleksandru Albu.
MASh-i aktualisht punon edhe për përmirësimin e legjislacionit që rregullon arsimin e mesëm dhe aftësimin profesional, si dhe arsimin e të rriturve, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës, u tha me këtë rast.
FLUTURA LATIFI
