Maqedoni

Taravari: Vaksinimi, mbrojtja më e mirë nga gripi sezonal

24.10.2024 14:31

Rreth 10 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa janë regjistruar për vaksinim edhe rreth 52 mijë qytetarë...

Rreth 10 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa janë regjistruar për vaksinim edhe rreth 52 mijë qytetarë të tjerë, të cilët do të mund të vaksinohen në 36 pika, në të gjithë vendin. Në mesin e të vaksinuarve prej sot është edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili pas vaksinimit ka deklaruar se parandalimi është mënyra më e mirë për t'u mbrojtur nga gripi sezonal. 
 
“Kanë pranuar vaksinën mbi 10 mijë qytetarë. Kemi një aplikacion vakcinacija.mk ku mund të paraqiten të gjithë qytetarët. Deri sot janë paraqitur 52 mijë qytetarë. MSh-ja së bashku m IShP-në kanë siguruar 70 mijë vaksina. Uroj që sa më shumë njerëz këtë periudhë ta pranojnë këtë vaksinë dhe të parandalojnë mos të na paraqiten komplikime dhe komplikimet nëse paraqiten të jenë më pak se vitin e kaluar.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Ministri Taravari njëherit kërkoi nga Oda e mjekëve të merren masa pas lëshimeve të konstatuara në rastin e vdekjes së foshnjës 14-muajshe.
 
“Gabime në shëndetësi ndodhin dhe të gjithëve mund t’u ndodhin, por patjetër të merren masa dhe të japë shembull se si MSh-ja, por edhe si institucionet shëndetësore, ndërmarrin masa kur bëjnë  lëshime mjekësore. Në këtë rast nga komisioni është konstatuar se ka lëshim mjekësor dhe veç më prej MSh-së përsëri kemi dërguar deri te Oda e mjekëve, që departamenti etik ta rishqyrtojë rastin dhe të ndërmerren masa të caktuara. Komisioni vendos, ne kemi propozuar që përkohësisht t’u merren licencat e mjekëve, kurse institucionet shëndetësore duhet vet të vendosin. Unë  nuk mundem me dhunë t’i detyroj. E përshëndes vendimin e drejtorit të Klinikës së Pediatrisë, besoj se edhe drejtoresha në “Kozle” të ndërmarrë masat e caktuara.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Ministri Taravari njëherit bëri të ditur se në bashkëpunim me OBSh-në janë duke përgatitur një strategji vaksinimi, që do ta promovojnë në nëntor ose dhjetor të këtij viti. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI