Maqedoni
Amnistia e dhjetë të dënuarve, LSDM: Në shesh aleanca pushtet – nëntokë
24.10.2024 14:57
Amnistia e dhjetë të burgosurve nxjerr në pah aleancën e fshehtë midis presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova...

Amnistia e dhjetë të burgosurve nxjerr në pah aleancën e fshehtë midis presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, partisë “E di” dhe nëntokës, pohojnë nga LSDM-ja. Ata janë të bindur se vendimi ishte ekskluziv i presidentes, për të paguar borxhet ndaj nëntokës. Njëkohësisht kërkojnë pohimin publik edhe të ministrit të Drejtësisë, kuadër i partisë “E di”, nëse ka dhënë vlerësim pozitiv për lirimin e personave të burgosur.
“Fjalën e fundit për faljet e ka Siljanovska. Komisioni vetëm jep mendim, ndërkaq vendimi është ekskluzivisht i saj. Këtë e ka konfirmuar edhe një anëtarë i komisionit, i cili përgjegjësinë e drejton kah presidentja. Ministri i Drejtësisë a është pajtuar për lirimin e personave të cilët kërcënojnë sigurinë? Kërkojmë nga kabineti i presidentes të publikojë mendimin e Ministrisë së Drejtësisë.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Taravari: Vendimi ekskluziv i presidentes
Arben Taravari nga koalicioni VLEN thotë se nuk mund të përzihen në vendimin e presidentes, pasi kjo është e drejtë ekskluzive e saj.
“Nuk i di emrat kush janë falë, nuk kam informata, por ka komision në kuadër të presidentit dhe kjo është e drejtë ekskluzive e presidentes. Nuk përzihemi në një njeri që është zgjedh prej qytetarëve.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ditë më parë presidentja e shtetit fali dhjetë të dënuar. Në mesin e tyre vihet re ish-kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, i cili ishte i dënuar me 7 vite burg për lëndën “Transportuesi”, gjegjësisht për keqpërdorimin e detyrës zyrtare për transportin shkollor. Në vendimin e amnistisë nuk janë theksuar të dhëna për vepra kriminale. Vetë presidentja deklaroi se ajo vetëm se e ka respektuar vendimin e komisionit për falje.
MERAL ISMAILI
