Maqedoni

Kryetarja e KE-së sjell porosi në Shkup: Bëni ndryshimet kushtetuese, ju presin kapitujt

24.10.2024 15:45

Progresi eurointegrues i vendit dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në fokus kryesor në takimin e kryetares së KE-së...

Progresi eurointegrues i vendit dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në fokus kryesor në takimin e kryetares së KE-së, Ursula von der Lejen, me kryeministrin, Hristijan Mickoski. Shefja e ekzekutivit të BE-së me lëvdata për vendin tonë për reformat e realizuara dhe për vendosmërinë për hapat e ndërmarra. Jemi afër hapjes së klasterit të parë me Unionin, tha ajo, por kërkon që të hiqet pengesa e vënë nga mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese, kusht që pa u plotësuar nuk vazhdohet me procesin integrues. Ajo është e përkushtuar ta vazhdojë zgjerimin e politikës së zgjerimit edhe  në mandatin e dytë të saj.
 
“Ne do të ndihmojmë që të implementohet obligimi që RMV-ja si vend sovran e mori në secilën pjesë të rrugëtimit. Për mua është me rëndësi të veçantë se kemi qëllim të qartë. Punoj aq sa mundem që të mund t’i hapim bisedimet për klasterin “Vlerat fundamentale”. Ky është qëllim ynë afatshkurtër për momentin dhe ndryshimet kushtetuese duhet të realizohen, gjë që është me rëndësi për mua, për RMV-në të jemi të suksesshëm. Për këtë dua t’ju siguroj se do të jemi me ju  në secilën pjesë të rrugës, që të arrijmë në qëllimin e përbashkët.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Mickoski me përgjigje: Duam integrim në BE, na ndihmoni në sfida
 
Për kryeministrin Mickoski, Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane dhe ky qëllim është i prerë, duke shtuar se vendi mbetet partner stabil i BE-së në kushtet e ndryshimeve gjeopolitike. Në këtë rrugëtim  shprehu vetëdije  për reformat që kërkohen  me theks të veçantë  në gjyqësor, luftën kundër  krimit dhe korrupsionit, si dhe në zhvillimin ekonomik. Por, Mickoski nuk u  përgjigj konkretisht në pyetjen e gazetarëve nëse është biseduar me shefen e ekzekutivit të BE-së  për ndryshimet kushtetuese me efekt prapaveprues. Tha se do të punojë edhe në interesat nacionale të qytetarëve  edhe në aspiratat eurointegruese.
 
“Ne si qeveri do të vazhdojmë edhe tutje t’i ndajmë vlerat evropiane. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet nga ana jonë ta afrojmë Bashkimin Evropian tek qytetarët, diçka që është detyrë e jona, por edhe dëshirë, sepse mbi75% e qytetarëve të ardhmen e shohin si pjesë e BE-së. Unë si person i parë i Qeverisë do të vazhdoj të punoj kryesisht në interes të  qytetarëve dhe në atë që për ata paraqet prioritet, ndërsa prioritet i parë i tyre është që njëkohësisht të jetojnë mirë, të sundojë drejtësia dhe të arrihen reforma.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Në takimin e tyre është biseduar edhe për projektet e lidhjeve rrugore mes shteteve që kushtëzohen nga korridoret 8 dhe 10,  bashkëpunimin kufitar, si dhe furnizimin me gaz. E ardhmja e vendit, temë diskutimi edhe në takimin e kryetares së KE-së me shefen e shtetin, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Nga 6 miliardë euro të Planit për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, 2 miliardë prej tyre derdhen në rajon në formë grantesh, ndërsa 4 miliardë të tjera si kredi të volitshme. Për RMV-në janë menduar 750 milionë euro, mjete të cilat para se të lëshohen kërkojnë plotësimin e kushteve të caktuara.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU