Botë

Dialogu Kosovë – Serbi, Kurti: Të nënshkruhet marrëveshja

24.10.2024 16:00

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi...

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi, ndodhen në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Ndërkohë kryeministri, Albin Kurti, ka ripërsëritur kërkesat ndaj Serbisë për të pasur sukses në dialog, duke insistuar në nënshkrimin e marrëveshjes bazike.
 
“Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime, që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin  e Milan Rajdojçiqit dhe të grupit të tij kriminel dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, kur para BE-së e 27 shteteve anëtare në Bruksel në mes dhjetorit të vitit të kaluar, tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës. Kjo është e papranueshme!”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Dialogu ka qenë temë edhe në takimin e komandantit të KFOR-it Barduani, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Komandanti i KFOR-it, me këtë rast ka deklaruar se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për sigurinë afatgjate në mbarë Kosovën, si dhe për stabilitetin rajonal.
 
GYLTENE SINANI