Maqedoni
Tetovë, pikë grumbulluese për mbeturinat inerte
24.10.2024 16:16
Është lëshuar në përdorim pika grumbulluese për mbeturinat inerte dhe të tjera në komunën e Tetovës...

Është lëshuar në përdorim pika grumbulluese për mbeturinat inerte dhe të tjera në komunën e Tetovës, me çka kreu i kësaj komune, Bilall Kasami, do të zgjidhë një problem të kamotshëm. Sipas Kasamit, qytetarët mbeturinat inerte duet t’i sjellin në këtë pikë grumbulluese, e jo të vazhdojnë avazin e vjetër e t’i hedhin përreth kontejnerëve.
“Në bashkëpunim me kompaninë private “Saubermacher”, ne promovojmë qendrën e grumbullimit të mbeturinave, është një lokacion shumë i afërt për qytetarët tanë dhe ka qasje shumë të lirë. Të gjithë ato që mbeturinat i kanë hedhur deri tash përreth kontejnerëve, por do të duhet t’i sjellin në këtë lokacion. Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm në krijimin e kushteve, më të mira sa i përket pastërtisë së qytetit. Bëhet fjalë për mbeturinat e drurit, mbeturina të hekurit, qelqit, karton e plastik.”, - deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Nga kompania “Saubermacher” thonë se kjo pikë grumbulluese do të jetë pa pagesë. Njëherit kërkojnë nga qytetarët që të paguajnë faturat për mbeturina, pasi në të kundërtën do të detyrohen që pagesa të bëhet nëpërmjet përmbaruesit.
“Kjo qendër do të jetë pa pagesë dhe kjo nënkupton që çdo qytetar i cili nuk ka borxh ndaj kompanisë për pjesën tjetër të mbeturinave këtu do të mund të hedh mbeturinat inerte. Apeloj deri tek qytetarët që të bëjnë pagesat ndaj kompanisë sonë, për shkak se niveli i pagesës është i ulët, sepse nuk është në atë nivel që e kemi pritur. Në periudhën e ardhshme do të jemi të detyruar që të bëjmë pagesën e dhunshme përmes përmbaruesve, por dëshirojmë që të mos vijmë deri tek kjo situatë dhe nëse ka ndonjë paqartësi, qytetarët mund të vijnë dhe të zgjidhim të gjitha problemet që kanë në lidhje me grumbullimin e mbeturinave.”, - theksoi përfaqësuesi i kompanisë “Saubermacher”, Robert Gajçiq.
Kryetari Kasami po ashtu bëri të ditur se janë instaluar edhe kamera sigurie në disa pika më kritike, dhe në qoftë se qytetarët vazhdojnë edhe më tej të hedhin mbeturinat inert për rreth kontejnerëve, të njëjtit do të dënohen sipas ligjit.
VISAR SADIKI
