Botë

Zgjerohet konflikti në Lindjen e Mesme, pas Libanit dhe Gazës, Izraeli godet Sirinë

24.10.2024 16:30

Tensionet në Lindjen e Mesme për çdo ditë shkojnë duke u përshkallëzuar edhe më shumë...

Tensionet në Lindjen e Mesme për çdo ditë shkojnë duke u përshkallëzuar edhe më shumë. Pas sulmeve të Hezbollahut drejt Tel Avivit, ushtria Izraelite ka bombarduar Libanin. Mbi 28 persona janë vrarë dhe 139 janë plagosur në Bejrut. Ky konsiderohet sulmi më i madh që nga fillimi i konfliktit. Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësim për thellimin e konfliktit. Objektiv i sulmeve ishin Televizioni Shtetëror Libanez dhe ndërtesat e banimit përreth. Izraeli ka bombarduar edhe pjesën veriore të Gazës, janë vrarë dhjetëra persona, ndërsa janë arrestuar mbi 200 palestinezë. Për shkak të luftimeve është ndërprerë faza e tretë e vaksinimit të popullsisë, e cila është prekur nga Polio-mieliti.           
                                                     
“Palestinezët në Gazën Veriore janë duke u përballur me vuajtje ekstreme, ndërsa pushtimi izraelit vazhdon. Për shkak të eskalimit të dhunës dhe bombardimeve intensive është ndërprerë misioni i OKB-së. Partnerët tanë u detyruan ta ndërpresin fushatën e vaksinimit kundër paralizës së fëmijëve.”, - deklaroi përfaqësuesi i OKB-së, Farhan Hak.
 
Siria gjithashtu njoftoi për bombardime izraelite në territorin e saj, mbi disa objekte banimi në Damask dhe zonat ushtarake në Homs. Ka të vrarë dhe të plagosur.
 
“Konflikti rajonal në Siri është alarmant dhe mund të përshkallëzohet më shumë. E gjithë kjo do të ketë pasoja serioze për vendin, por edhe për paqen dhe sigurinë rajonale.”, - theksoi përfaqësuesi për Sirinë në OKB, Geir O. Petersen.
 
Ndërkohë mbrojtja izraelite kërcënohet se kur të sulmohet Irani, bota do ta kuptojë fuqinë e ushtrisë izraelite. Komuniteti ndërkombëtarë kërkon urgjentisht zgjidhje diplomatike.
 
“Patjetër e kemi t’i mbrojmë interesat e sigurisë së palëve të përfshira në konflikt, si Izraelit ashtu edhe vendeve tjera. Destabilizimi i tërësishëm i një vendi tashmë të trazuar do të ishte fatal për rajonin, prandaj është e rëndësishme të gjenden rrugë diplomatike.”, - u shpreh ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Bearbok.
 
Për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, ka arritur  në Konferencën Ndërkombëtare për mbështetjen e popullit libanez edhe presidenti i Francës, Emanuel Makron. Ai ofroi mbështetje prej 100 milionë euro për të dëmtuarit nga lufta.
 
“Franca do të ofrojë 100 milionë euro gjatë kësaj konference, për të strehuar familjet, për të ushqyer fëmijët, për të trajtuar të plagosurit. Duhet menjëherë të përfundojë lufta në Liban dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Sa më shumë dëme, viktima dhe sulme, aq më tepër përkeqësohet situata dhe me këtë nuk do t’i jepet fund terrorizmit.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Gjithashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, vazhdoi misionin e tij paqeruajtës nëpërmjet takimeve në Katar, me shpresën se do të ketë sukses në arritjen e një armëpushimi në rajon.


FARIJE DAUTI BAKIJU