Botë
Izraeli sulmoi gazetarët në Liban, u vranë tre punonjës
25.10.2024 09:50
Një sulm ajror izraelit mbi një kompleks ku strehohen gazetarë në Libanin juglindor ka vrarë tre punonjës...

Një sulm ajror izraelit mbi një kompleks ku strehohen gazetarë në Libanin juglindor ka vrarë tre punonjës të mediave, ka raportuar të premten Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.
Stacioni lokal i lajmeve “Al Xhadid ” transmetoi pamje nga vendi i ngjarjes ku shihej një ndërtesë që ishte marrë me qira nga media të ndryshme – duke treguar objekte të shembura dhe vetura të shënuara “PRESS” nën rrënoja. Ushtria izraelite nuk lëshoi paralajmërim para sulmit.
Televizioni “Al-Majaden” me bazë në Bejrut ka raportuar se dy nga punonjësit e tij, kameramani Hasan Najar dhe tekniku i transmetimit, Mohamed Rida, ishin në mesin e gazetarëve të vrarë. Televizioni “Al-Manar” i grupit Hezbollah raportoi se kameramani Uisam Qasim u vra gjithashtu në sulmin ajror në rajonin Hasbaja.
Disa gazetarë janë vrarë në luftimet përgjatë kufirit Liban-Izrael që nga tetori i vitit të kaluar.
