Ekonomi

Propozimi për rritjen e pagës minimale në 27.700 denarë, Halili: Me rritjen e pagës përfiton edhe shteti

25.10.2024 14:30

LSDM-ja së fundmi ka propozuar ndryshime në ligjin për pagën minimale me të cilën kërkon rritjen e saj në 27.700 denarë....

LSDM-ja së fundmi ka propozuar ndryshime në ligjin për pagën minimale me të cilën kërkon rritjen e saj në 27.700 denarë. Rritja eventuale do të sjellë përfitime si për qytetarët ashtu edhe për shtetin, deklaron Arben Halili në emisionin “Biznes Plus” në TVM2, mirëpo sipas tij, rritja duhet të bëhet në varësi të produktivitetit apo cilësisë së shërbimeve të cilat ofrohen.
 
“Komuniteti i biznesit si kërkesë të tillë e pranon, por normal që duhet kualiteti dhe produkti ose shërbimi të ofrohet nga ana e punëmarrësve ndaj komunitetit të biznesit. Dhe nga ana tjetër, me rritjen e pagës minimale përfitimet e shtetit janë se do të rriten bazat tatimore për kontributet dhe tatimet të cilat i grumbullon shteti në emër të pagës nga ana e punëmarrësve. Në këtë drejtim do të kemi edhe mbushje të fondit pensional, invalidor dhe shëndetësor me mjete financiare shtesë.”, - deklaroi profesori universitar, Arben Halili.
 
Ikja e fuqisë punëtore, Halili: Po ikin edhe ata me paga të larta
 
Halili shton se problem tjetër më serioz për kompanitë është ikja e fuqisë punëtore, e cila kohëve të fundit sipas tij nuk po ik për pagat e ulëta, por për kualitetin  dhe sigurinë në shtet. 
 
“Ka sektorë ku edhe më tej mund të themi se rrotullohen paga minimale 400 ose 500 euro, por ka edhe paga të cilat janë shumë më të larta dhe ironia e fatit është se edhe këta njerëz me paga shumë të larta emigrojnë jashtë shtetit. Kjo i bie që ne duhet të ulemi dhe të mendojmë pse ndodh kjo. Nuk është më çështja e pagës minimale sesa është çështja e kualitetit të jetesës dhe sigurisë së jetesës në këtë shtet. Kemi nevojë tani jo për njerëz me diploma, por për njerëz me përvojë praktike në terren. Ne nuk kemi një elektricist, ne nuk kemi një person i cili do të rregullojë ujësjellësin në shtëpi dhe presim tani me ditë, mbase edhe me javë për t’u siguruar këta persona që kanë këtë lloj të kualifikimit.”, - theksoi profesori universitar, Arben Halili.
 
Të dhënat e Lidhjes së Sindikatës tregojnë se gati 35 mijë punëtorë në vend punojnë me pagë minimale ose deri në pagën minimale, ndërsa  9 mijë punëtorë marrin pagë nga një denar deri në 22.576 denarë.
 
GAZMEND KURTISHI