Maqedoni
Murtezani në brifing me gazetarë: S’do të ketë letër për në BE, ua përcollëm mesazhet
25.10.2024 14:44
Letra e paralajmëruar në adresë të BE-së me propozime të reja për vazhdimin e negociatave...

Letra e paralajmëruar në adresë të BE-së me propozime të reja për vazhdimin e negociatave, të cilën vazhdimisht e potenconte kryeministri Mickoski, nuk do të dërgohet. Këtë e qartësoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. Ai u arsyetua se nuk shihet e nevojshme më, pasi që janë njoftuar autoritetet dhe figurat e qendrave evropiane për përmbajtjen e letrës. Në brifing me gazetarë, Murtezani u ndal edhe tek raporti me Bullgarinë sa i përket bisedimeve dypalëshe lidhur me kontestet, për çka tha se për momentin nuk zhvillohet pothuajse asnjë lloj komunikimi dhe pritet të vazhdohet në këtë qëllim pas zgjedhjeve në Bullgari dhe formimit eventual të qeverisë legjitime në fqinjin lindor. Murtezani sërish potencoi nevojën për fitimin e një garancie nga institucionet e BE-së që do të siguronte vijimin e papenguar të procesit eurorintegrues pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, konkretisht, të mos bilateralizohet tutje procesi eurointegrues.
Në kuadër të këtij takimi me gazetarë, Murtezani shpalosi edhe Agjendën reformuese për vendin tonë, 2024 -2027.
“Përmes kësaj agjende, vendi do të ketë qasje në ndihmën financiare të Bashkimit Evropian, duke mundësuar integrim ekonomik të rëndësishëm dhe harmonizim me standardet evropiane. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian vazhdon përmes monitorimit të vazhdueshëm të progresit dhe përmbushjes së reformave të dakorduara, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik.”, – tha Murtezani. Tha se ky plan ka marrë vendim nga BE-ja për zbatim dhe nuk do të mund ta pengojë asnjë vend anëtarë i Unionit. Vetëm se mund të ndodhë të mos merren mjetet po që se nuk regjistrohen rezultatet e paracaktuara në projekt.
Agjenda reformuese, Murtezani: Do të përpiqemi t’i marrim të gjitha 750 milionë eurot
Ndërkaq, Murtezani është optimist se vendi do të mund t’i thithë të gjitha ato 750 milionë eurot, duke shtuar se do të punojë në shtimin e kapaciteteve të nevojshme, me qëllim që të mos ndodhë të mos shfrytëzohen fondet siç është regjistruar në praktikat e mëhershme me planet paraprake dhe fondet IPA. Për këtë, Murtezani zotohet se do të angazhohen si ministri që të sigurojë burimet e nevojshme që do t’i operacionalizonin mjetet që i ofron Agjenda reformuese, si pjesë e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, që në rastin tonë, 1/3 do të derdhet në formë të granteve dhe dy pjesët tjera si hua me kushte të volitshme për kthim. Deri në fund të vitit do të bëhet tërheqja e parë prej 52 milionë eurove, ndërsa do të shfrytëzohen për përkrahje buxhetore vendore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
