Ekonomi
Standardi i qytetarëve, përplasen LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja
25.10.2024 15:00
VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra-tjetrës për standardin jetësor të qytetarëve....

VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra-tjetrës për standardin jetësor të qytetarëve. Sipas LSDM-së, politikat e deritanishme të pushtetit po dëshmohen të gabuara. RMV-ja është në fund të tabelës nga vendet e Ballkanit për sa i përket pagave, ndërsa standardi i qytetarëve me këtë qeverisje po përkeqësohet, paga mesatare po ulet, ndërsa kostoja e jetesës po rritet, akuzuan nga LSDM-ja
“Maqedonia është në fund, sipas pagave në Ballkan. Standardi i qytetarëve me këtë qeverisje po përkeqësohet, paga mesatare po ulet, ndërsa kostoja e jetesës po rritet, kjo tregon se politikat ekonomike të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së janë të gabuara. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare neto në vend nuk është në rritje, por në rënie. Ajo që është edhe më shqetësuese, është se vendi është ende në fund në krahasim me vendet fqinje si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, për sa i përket pagave. Qeveria duhet të ndryshojë politikat e gabuara dhe të përcaktojë masa për rritjen e pagave.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja i janë kundërpërgjigjur akuzave të LSDM-së. Sipas tyre, për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe hartimin e politikave më të mira për vendin, duhet një koordinim i brendshëm.
“Maqedonia ka shumë nevojë për një vizion të ri, plan afatgjatë për zhvillim real. Për më tepër, strategjia duhet të përfshijë zhvillimin bujqësor dhe teknologjik, zhvillimin e energjisë dhe transportit, përmirësimin e mjedisit, arsimin, si dhe të mundësojë shëndetësinë që të jetë në hap me arritjet botërore. Kjo është pikërisht ajo që i duhet shtetit për të kapur hapin e epokës së re, ku proceset shkencore, teknologjike dhe ekonomike po zhvillohen me shpejtësi. Dhe që e gjithë kjo të planifikohet, zbatohet dhe realizohet, duhet bashkim i brendshëm. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje LSD-së që të kapërcejë veten dhe të paktën një herë në veprimtarinë e tyre partiake, të vendosë interesat e shtetit mbi atë partiak.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja së fundmi kishte përgatitur një propozim-ligj për rritjen e pagës minimale, por e njëjta në mënyrë të shpejtë ishte refuzuar nga ana e VMRO-DPMNE-së akoma pa shkuar në seancë plenare.
FITIM KRYEZIU
