Maqedoni
Eurointegrimi, Kasami: Angazhohemi për ndryshimet kushtetuese
25.10.2024 15:15
Koalicioni VLEN, me përpjekje për të bërë ndryshimet kushtetuese....

Koalicioni VLEN, me përpjekje për të bërë ndryshimet kushtetuese. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, ka deklaruar se në Qeveri po zhvillohen aktivitete në këtë drejtim, por pa publikuar më shumë detaje. Ai vetëm thekson rëndësinë e anëtarësimit të vendit në BE deri në vitin 2030 së bashku me Shqipërinë.
“Angazhimi ynë si koalicion VLEN, por edhe si Qeveri është që sa më shpejt të tejkalohet ky ngërç dhe të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe sigurisht që interesimi ynë është që sa më shpejt të kapim hapin me Shqipërinë dhe në vitin 2030 të jemi dy vende të ardhshme anëtare të BE-së. Nuk do të kisha dashur të jap informata të cilat janë duke u diskutuar brenda Qeverisë dhe po punojmë intensivisht që të jetë kjo një realitet.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Kuzeska: Qeveria të zbatojë porositë e Von der Lejenit
Nga LSDM-ja ftojnë Qeverinë të sillet me përgjegjësi dhe të marrin seriozisht porositë e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Sipas tyre, Mickoski pati mundësi që para Von der Lejenit të prezantojë strategjinë për dalje nga situata aktuale në të cilën gjendet vendi dhe hapjen e klasterëve negociuese për të hapëruar së bashku me Shqipërinë.
“Ftojmë Qeverinë të sillet me përgjegjësi, të mos komentojnë, por të zbatojnë porositë në interes të qytetarëve. Të gjitha komentet të cilat pushteti po përpiqet që t’i imponojë, janë për të krijuar amulli para opinionit, duke dëmtuar përparimin e shtetit. Strategjia duhet të kontribuojë për arritjen e mbështetjes në Bruksel dhe vendet anëtare, e jo të shpikin arsyetime për përdorim të brendshëm politik.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Kovaçki: LSDM-ja t’i bashkohet strategjisë 2050
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se kryeministri Mickoski veç më dha propozim për strategjinë, por akuzojnë LSDM-në se nuk ishin të gatshëm për unifikim.
“Ftojmë LSDM-në që fillimisht të mendojnë edhe përkundër mos pranimit fillestar për unifikim rreth një strategjie që do të ndihmohej edhe nga komuniteti akademik. LSDM-ja duhet të tejkalojë shkurtpamësinë, interesat individuale dhe partiake. Shtatë vite lanë mbrapa Maqedoninë në fusha të caktuara.”, - u shpreh Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja.
Kryeministri Mickoski para dy dite shpalosi strategjinë për zhvillim shtetëror deri në vitin 2050. Prioritet do të ketë integrimin, por rrugës duhet të definohen përparësitë e zhvillimit të shtetit në aspektin demografik, të bujqësisë, energjetikës, transportit dhe të ngjashme.
MERAL ISMAILI
