Maqedoni

Filkov: Është koha për rifreskim në Komisionin e Faljes

25.10.2024 16:36

Është koha për një rifreskim në Komisionin e Faljes, thotë ministri i Drejtësisë, Igor Filkov...

Është koha për një rifreskim në Komisionin e Faljes, thotë ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, pas rastit të fundit me amnistitë që ngriti shumë pluhur në opinion.  Filkovi sqaron se Ministria e Drejtësisë nuk fal, por mund të japë vetëm rekomandim për uljen e dënimit nga 1 në 6 muaj. Ai rekomandim shkon më pas tek Komisioni dhe presidentja. Ministri kërkoi që falja të mos jetë temë e politikës ditore.
 
“Unë nuk mund të kërkoj, është neni 11 që është shumë i qartë dhe tregon kush çka mundet të bëjë. Unë si ministër i Drejtësisë mendoj  se është koha për një rifreskim në Komision. Komisioni i Faljes është shumë i rëndësishëm në shtet. Nuk duhet të lejojmë të jetë temë e politikës ditore dhe kjo neve po na ndodh. Personat veç më njëherë të dënuar duhet t’i udhëzojmë në risocializim.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov. 
 
LSDM-ja pyet: Kush urdhëroi lirimin e kriminelëve
 
Socialdemokratët kërkojnë nga presidentja Siljanovska-Davkova, që t'i prezantojë të gjitha informatat, dokumentet dhe mendimet për faljet. Nga opozita pyesin se kush urdhëroi lirimin e kriminelëve të rrezikshëm.
 
“Ajo nuk mund të fshihet pas Komisionit të Faljes. Siljanovska e ka fjalën e fundit, ajo e merr vendimin dhe prandaj duhet të përgjigjet pse i liron këta njerëz. Nëse kanë gabuar anëtarët e Komisionit të Faljes, pse atëherë Siljanovska nuk i ka shkarkuar. Deklaratat janë joserioze, që nuk e dinin se kë falnin, është fyerje për qytetarët dhe nënvlerësim i inteligjencës së tyre.”, - u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM. 
 
Më 22 tetor, presidentja Siljanovska-Davkova fali 10 persona, mes tyre edhe Akif Ravmanovskin, i cili u arrestua menjëherë pas lirimit nga burgu. Prokuroria e akuzon për vrasje të mbetur në tentativë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI